Greqia shkon në falimentim?

Ministri i Brendshëm i Greqisë, Nikos Voutsis ka thënë se vendi i tij nuk do të mund t’i paguajë borxhin Fondit Monetar Ndërkombëtar deri më 5 qershor, sepse nuk ka para.

Lajme

24/05/2015 13:13

“Katër pagesat për FMN-në në qershor kapin vlerën prej 1.6 miliard eurosh. Këto para nuk do të jepen sepse nuk ka çfarë të jepet”, ka thënë Voutsis për televizionin grek.

Qeveria greke, Bashkimi Evropian dhe FMN-ja janë duke negociuar tash e katër muaj për reformat ekonomike që duhet t’i bëjë shteti grek në këmbim të këstit final prej 7.2 miliardë eurosh nga paketa e ndihmës ndërkombëtare.

Por, para se ta marrë këstin e fundit, Greqia duhet të përmbushë afatin e 5 qershorit për shlyerje të borxhit.

Nëse dështon të arrijë marrëveshje me partnerët e saj, Greqia mund të dalë nga eurozona.

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis ka thënë se një gjë e tillë do të ishte katastrofë për ekonominë greke dhe do të sinjalizonte fillimin e fundit të projektit të monedhës së përbashkët.