Greqia pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda presidencës greke

Kryeparlamentari i Greqisë, Evangelos Meimarakis, i cili ndodhet për vizitë në Tiranë, deklaroi se Greqia dëshiron që Shqipëria ta marrë statusin “kandidat” për në BE, brenda presidencës greke të Bashkimit Evropian. 

Lajme

27/04/2014 14:39

Gjatë vizitës në Shqipëri, me ftesën e kreut të Parlamentit shqiptar, Ilir Meta, Meimarakis bëri të ditur se ndër objektivat e presidencës greke është që Shqipëria të arrijë të marrë statusin kandidat brenda qershorit.

“Siç ndihmuam që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, me më shumë forcë e dëshirë do të bëjmë ç’është e mundur që ajo të bëhet kandidate për në BE brenda presidencës sonë”.

Nga ana e tij, Ilir Meta deklaroi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë po përjetojnë një fazë dinamike dhe të frytshme.

“Këto dy vende i bashkon ura e shkëlqyer e miqësisë dhe e bashkëpunimit, që mishërohet nga minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ndaj ruajtja dhe kultivimi i vlerave gjuhësore dhe arsimore reciproke ka rëndësi të veçantë për dy popujt dhe vendet tona”, u shpreh Meta.

Gjatë kësaj vizite, kryeparlamentari grek u takua me presidentin, Bujar Nishani, ndërsa pritet të takojë edhe kryeministrin, Edi Rama, dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha. Ai do të takojë gjithashtu deputetë dhe zëvendësministra të PBDNJ, përfaqësues të minoritetit dhe kryepeshkopin Anastas Janullatos.