Greqia organizon sondazh për Himarën

Duket se Greqia e ka marrë seriozisht reformën territoriale në Shqipëri. Nisur nga kundërshtitë e bashkimit të Himarës me Vranishtin nga përfaqësuesit politik të minoritetit, shteti grek po kërkon të marrë drejtpërdrejtë mendimin e qytetarëve për këtë çështje.

Lajme

28/07/2014 23:11

Burime të “A1 Report” nga pika e kalimit kufitar në Gjirokastër, bëjnë të ditur se bllokimi prej orësh i Kakavijës ka bërë që në një korridor jashtë juridiskionit të tyre, dy doganierë grekë, që disponojnë një kuti, u kërkojnë emigrantëve shqiptarë që të japin mendimin e tyre për ndarjen administrativo-territoriale për Himarën.

Ndërkohë, në këtë pikë të kalimit kufitar është krijuar edhe një situatë kritike për kalimin në Greqi ose anasjelltas. Pas bllokimit të sistemit kompjuterik pala greke ka nisur punën me regjistra.

Megjithatë hyrja për në Shqipëri lejohet për të gjithë, ku doganierët grekë vulosin pasaportat e emigrantëve dhe i regjistrojnë ata në regjistër. Ndërsa për të hyrë në Greqi lejohen vetëm ata që kanë pasaporta greke, dokumente 10-vjeçare dhe shtetasit e huaj.

Kjo ka krijuar radhë të gjata dhe tensione në pikën e kalimit kufitar, ndërsa mësohet se të dyja palët po punojnë për zgjidhjen e kësaj situate.