Greqia nuk përjashton njohjen e Kosovës

Shefja e Zyrës Diplomatike të Greqisë në Kosovë, Konstantina Athanassiadou tha se shteti i saj ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por nuk e përjashton një mundësi.

Lajme

17/01/2015 12:08

Greqia e cila është njëri ndër 5 shtete e Bashkimit Europian (BE) që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk e përjashton që një gjë të tillë ta bëjë në të ardhmen.

Kështu ka deklaruar shefja e Zyrës Diplomatike të Greqisë në Kosovë, Konstantina Athanassiadou.

“Greqia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por në princip nuk e përjashtojmë njohjen”, tha Athanassiadou, në një ligjëratë para studentëve të kolegjit AAB.

Ajo tha se nga pesë vendet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, Greqia është vendi që ka qenë më fleksibil.

Athanassiadou shtoi se Greqia edhe pse nuk e ka njohur Kosovën, e ka ndihmuar në anëtarësimin në shumë organizata ndërkombëtare.

Ajo ka përmendur anëtarësimin e Kosovës ë FMN në vitin 2009, ku Greqia kishte votuar pro, derisa në vitin 2011 kishte përkrahur anëtarësimin në BERZH.

Diplomatja greke tha se Kosova ka një perspektivë euroatlantike, të cilën shteti i saj do ta përkrahë.