Greqia kurrë nuk ka pasur probleme me Kosovën

Ambasadori Dimitrios Moschopoulos thotë se Greqia përkrah MSA’në dhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ndërsa, Jakup Krasniqi, pret që në një periudhë të afërt, Greqia të njohë pavarësinë e Kosovës. Ai u prit sot edhe nga Ramush Haradinaj.

Lajme

25/03/2014 13:29

Ambasadori në largim i Zyrës Ndërlidhëse Greke, Dimitris Moschopoulos, ka vlerësuar lartë mikpritjen që i është ofruar në Kosovë, pavarësisht se Greqia ende nuk e ka njohur atë.

Moschopoulos këto komente i bëri gjatë një takimi lamtumirës, me Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.

“Më ka pëlqyer mikpritja, miqësia  që më është ofruar kudo në Kosovë, megjithëse Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën. Mirëpo, mosnjohja nuk duhet shikuar si pozicion ndaj shqiptarëve të Kosovës, njohja është me rëndësi për fqinjët”

“Këtu kemi jetuar së bashku gjatë historisë dhe kurrë nuk kemi pasur probleme me Kosovën, ndaj duhet të zhvillohen sa më shumë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, pa harruar se në periudhën e deritashme të bashkëpunimit kemi pasur përmirësime, madje edhe në fushën e këmbimeve tregtare.

“Jemi fqinj të mirë, do të jemi të tillë edhe në të ardhmen, duke e  mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Greqia përkrah MSA-në, si dhe liberalizimin e vizave, madje pikërisht sot është shënuar viza e parë shengen në një pasaportë kosovare nga ana greke”.

Ndërkaq, Kryekuvendari, Jakup Krasniqi, tha se ka ecje progresive në marrëdhëniet në mes dy vendeve.

“Presim që në periudhën e shërbimit të pasuesit tuaj në Kosovë, të përfundojë edhe njohja formale e pavarësisë së Kosovës.

“Vlerësojmë shumë përkrahjen e përfaqësuesve të Greqisë në institucionet evropiane për Kosovën, që është shumë domethënëse për ne.

“Në këtë frymë gjithnjë do të jemi në shërbim të politikave integruese në rajon dhe në Evropë”.

Krasniqi më tutje theksoi se edhe në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë pritet të shënohet progres në të ardhmen. Paqja dhe integrimi janë perspektivë e të gjithë qytetarëve të Rajonit.

Moschopulos, i cili po e përfundon misionin e vet diplomatik në Kosovë, është pritur sot edhe nga Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj.

 

Kryetari Haradinaj dhe ambasadori Moschopulos biseduan për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe rajoni, raporteve midis dy vendeve dhe intensifikimi e mëtejmë të këtyre raporteve.

Kryetari Haradinaj e falënderoi ambasadorin Moschopulos për mbështetjen dhënë proceseve në Kosovë dhe e ftoi atë të mbështesë angazhimet për njohjen e shtetit të Kosovës nga Greqia.

Njëkohësisht, kryetari Haradinaj e nderoi ambasadorin Moschopulos me “Hartën e Artë të Kosovës” për punën e bërë në Kosovë dhe në shenjë respekti e mirënjohjeje për bashkëpunimin, thuhet në komunikatën e AAK’së.