Greqia kthen ushtrinë në kufi me Shqipërinë

Ushtria greke kthehet për ta monitoruar kufirin me Shqipërinë pas incideteve të fundit në këtë vijë kufitare . Shqipëria dhe Greqia ndahen nga një vijë kufitare e gjatë rreth 600 kilometra

Bota

25/12/2013 17:45

Që prej 1 janarit, kufiri shqiptaro-grek do të monitorohet prej Forcave të Armatosura të ushtrisë greke.

Lajmi publikohet nga Ministria e Mbrojtjes së vendit fqinj, e cila njofton se pas ngjarjeve të kohëve të fundit në Prespë, ku një polic grek dhe dy shtetas shqiptare humbën jetën gjatë një përleshjeje të armatosur, por edhe tentativat e njëpasnjëshme të narkotrafikanteve në pika të tjera të kufirit dypalësh, Athina zyrtare vendosi të dërgojë ushtrinë për monitorimin e kufirit.

Siç raporton Top Channel, burime pranë kësaj ministrie tregojnë se forcat ushtarake fillimisht do të dislokohen në zonën e Prespës, ku do të hapen së shpejti dy posta vrojtimi dhe brenda pak ditëve, pika të ngjashme do të ngrihen në gjithë vijën kufitare prej afro 600 kilometra mes dy vendeve. Ndonëse ende nuk sqarohet mënyra e funksionimit të pikave në fjalë, burime shpjegojnë se roli i ushtrisë do të jetë i kufizuar.

Informacionet që do të grumbullohen prej postave kufitare do t’i përcillen në kohë reale patrullave të policisë,të cilat do të veprojnë në terren për asgjësimin e bandave të narko-trafikut.

Zona e kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë është mjaft e izoluar. Ajo gjendet mes pyjeve dhe maleve të larta dhe shfrytëzohet shpesh prej trafikantëve të armëve dhe lëndëve narkotike për kalimin drejt Greqisë, por është e pamundur të ruhet nga policitë e dy vendeve për shkak të gjatësisë dhe vështirësisë në terren. Prej kohësh banorët e zonave kufitare janë shprehur të frikësuar për situatën e sigurisë në to.