Greqia “e ngopur” nga Turqia, Tsipras: Boll me kërcënimet!

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka dërguar mesazhin më të ashpër në drejtim të Ankarasë që prej përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve.

Bota

23/03/2018 17:10

“Turqia duhet të heqë dorë nga kërënimet dhe provokimet e vazhdueshme. Jemi përballë një ndryshimi thelbësor të sjelljes së saj në rajon. Greqia do të vazhdojë të mbajë të hapur kanalet e komunikimit për të bashkëpunuar dhe përballur me problemet që na shqetësojnë, por duhet të jem i qartë; Greqia është e vendosur që të mbrojë sovranitetin dhe të drejtën e saj kundrejt çdo kërcënimi”, deklaroi kryeministri grek në një konferencë për shtyp me Presidentin qipriot, Nicos Anastasiades.

Tsipras tha se Turqisë duhet t’i bëhet e qartë edhe nga Bashkimi Europian se provokimet e vazhdueshme nuk sjellin përfitim, as për atë vetë.

Pas vizitës së Erdogan në Greqi në dhjetor të vitit të kaluar u duk se raportet mes dy vendeve do të hynin në një erë të re, por pak javë më vonë disa incidente me anije në Egje dhe më pas kapja e dy ushtarëve grekë në tokën turke riktheu gjuhën e ashpër mes Athinës dhe Ankarasë.

Dy ushtarët grekë mbahen ende të burgosur në Turqi. Greqia thotë se kalimi i kufirit prej tyre ishte aksidental, ndërsa Ankaraja thotë se po hetohet për të përcaktuar nëse kalimi ishte aksidental apo i qëllimshëm.