Greqi, kapen 30 kg kanabis, në pranga korrieri 33-vjeçar shqiptar

Departamenti i Antidrogës së Kozanit, në Greqinë veriore, ka sekuestruar një sasi prej 30.6 kg kanabis.

Lajme

15/05/2018 17:11

Aksioni për sekuestrimin e lëndës narkotike u zhvillua gjatë orëve të para të mëngjesit të së martës, në vendin e quajtur Mesopotam, në afërsi të Kozanit.

Sipas policisë, lënda narkotike ishte e fshehur në një automjet me targa greke, që drejtohej prej një shtetasi shqiptar 33-vjeçar, i cili u arrestua.

Mësohet se lënda narkotike ishte ngarkuar në dy çanta në Shqipëri, e pasi ka kaluar nëpërmjet kufirit të gjelbër me mushka, iu dorëzua 33-vjeçarit, i cili do ta dorëzonte atë në Athinë, ku edhe do të shpërndahej në sheshin kryesor të narkotikëve të kryeqytetit helen.

Policia tha se po vazhdon hetimet lidhur me zbardhjen e skemës së trafikut, ndërsa gjykata vendosi masën e arrestit me burg për 33-vjeçarin e arrestuar.