Greqi, 15 të vdekur nga përmbytjet, shpallet tre ditë zie

Të paktën 15 persona e kanë humbur jetën në përmbytjet të cilat dje ndodhën në rajonin afër kryeqytetit grek, Athinë, ndërsa kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras shpalli tre ditë zie.

Lajme

16/11/2017 11:32

 

Ministria e Shëndetësisë së Greqisë konfirmoi se në përmbytjet të cilat vijuan pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut kanë humbur jetën 15 persona, në mesin e të cilëve pesë gra.

Kryeministri grek Tsipras mbrëmë thirri seancë të jashtëzakonshme dhe shpalli tre ditë zie, ndërsa në adresimin para opinionit tha se kjo është më së paku që ka mundur të bëjë në periudhën kur vendi po kalon një katastrofë të tillë, raporton Anadolu Agency.

“Kemi urdhëruar që të vihen në dispozicion të gjitha resurset dhe të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në rajonet për të cilët meteorologët paralajmëruan vazhdimin e reshjeve”, tha Tsipras.

Duke paralajmëruar hetime për shkaqet e përmbytjeve, Tsipras tha se dyert e të gjitha objekteve publike janë të hapura për qytetarët të cilët për shkak të përmbytjeve nuk mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Përmbytjet më shumë goditën qytetet Mandra, Nea Peramos dhe Megara që ndodhen rreth 40 kilometra nga Athina. Në këtë rajon është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

Ekipet e shpëtimit edhe më tej janë në terren për personat që llogariten si të zhdukur, ndërsa druhet se bilanci i të vdekurve mund të rritet.

Meteorologët paralajmëruan se reshjet e shiut në Greqi mund të vazhdojnë deri nesër.