Grenada njeh Kosovën

Grenada është shteti i 102’të që e njeh pavarësinë e Kosovës. Është një ishull i vogël, vetëm 344 kilometra katrorë dhe ka rreth 110 mijë banorë.

Lajme

25/09/2013 15:34

Grenada është shteti i 102’të që e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e ka dhënë lajmin përmes Twitter.

“I lumtur që Grenada ka marrë vendimin për ta njohur Republikën e Kosovës! Pres me padurim për të nënshkruar sot marrëveshjen për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar Ministri Hoxhaj, i cili është duke qëndruar në New York, gjatë punimeve të sesionit të sivjetmë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.

Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kishte parajmëruar njohjen e Kosovës nga tri shtete.

Grenada është shtet- ishull që bënë pjesë në shtetet e Commenwealth’it. Gjendet në jug të ishujve Grenadines, dhe në jugperëndim të detit të Karaibeve.

Kryeqyteti i saj është St. Georges. Ka qenë koloni franceze dhe britanike dhe është pavarësuar në vitin 1974, por pas pavarësisë ka kaluar nëpër një revolucion deri në vitin 1983.

Është një ishull i vogël, vetëm 344 kilometra katrorë dhe ka rreth 110 mijë banorë.