Grenada konfirmon njohjen

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm i Grenadës, Nickolas Steele, nënshkruan marrëveshje bilaterale diplomatike në ditën kur ky shtet njohu Kosovën e pavarur. Grenada është vendi i 102’të që pranon Kosovën si shtet.

Lajme

25/09/2013 17:30

Grenada nuk a vonuar shumë për ta konfirmuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tij në New York, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Grenadës, Nickolas Steele, nga i cili ka pranuar edhe zyrtarisht njohjen nga ky shtet.

Gjatë takimit Thaçi – Steel është diskutuar për zhvillimet e fundit në shtetet përkatëse, si dhe për sferat në të cilat dy shtetet mund të bashkëpunojnë.

Në komunikatën e Kryeministrisë thuhet se Thaçi e falënderoi shefin e diplomacisë së Grenadës në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për njohjen që Grenada i bëri Kosovës.

“Ministri i Punëve të Jashtme të Grenadës, Nickolas Steele, theksoi se shtetet e vogla si Grenada e Kosova duhet të aspirojnë të kenë shtete mike sa më shumë”.

“Me këtë rast Ministri i Jashtëm Steele, theksoi se kemi kënaqësinë që jemi shteti i 102-të që njohim Republikën e Kosovës, mirëpo edhe shteti i radhës që e bën Kosovën të njohur nga shumica e vendeve të CARICOM-it”.

“Gjatë takimit Kryeministri Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Steele, nënshkruan edhe formalisht themelimin e marrëdhënieve diplomatike bilaterale në mes të dy shteteve”.

Lajmin për njohjen nga Grenada, gjatë ditës, i pari e kishte konfirmuar Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj.

“I lumtur që Grenada ka marrë vendimin për ta njohur Republikën e Kosovës! Pres me padurim për të nënshkruar sot marrëveshjen për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, kishte shkruar në Twitter Ministri Hoxhaj, i cili është duke qëndruar në New York, gjatë punimeve të sesionit të sivjetmë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.

Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kishte parajmëruar njohjen e Kosovës nga tri shtete.

Grenada është shtet- ishull që bënë pjesë në shtetet e Commenwealth’it. Gjendet në jug të ishujve Grenadines, dhe në jugperëndim të detit të Karaibeve. Ai ka një territor prej vetëm 344 kilometra katrorë dhe ka rreth 110 mijë banorë.

Kryeqyteti i saj është St. Georges. Ka qenë koloni franceze dhe britanike dhe është pavarësuar në vitin 1974, por pas pavarësisë ka kaluar nëpër një revolucion deri në vitin 1983.