Greiçevci: Asnjë kosovar i lënduar në Londër, ky është numri ku mund të paraqiteni

Kryeqyteti britanik është nën masa të forta sigurie pas incidentit të ndodhur përpara godinës së Parlamentit.

Lajme

22/03/2017 19:11

Ambasada e Kosovës në Londër është duke e përcjellur me vëmendje situatën e krijuar pas sulmit terrorist afër Parlamentit Britanik, ka thënë ambasadori kosovar në Londër, Lirim Greiçevci.

Sipas tij, deri më tani nuk ka informacion që ka ndonjë shtetas të Kosovës të lënduar në këtë sulm, transmeton lajmi.net.

“Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Londër dhe do të vazhdojmë ta monitorojmë situatën. Për çdo informatë ose kërkesë ofrojmë këtë numër emergjent: +447711077298”, ka shkruar ambasadori Greiçevci.

Autoritetet britanike i kanë përqendruar hetimet në një sulm të mundshëm terrorist. Ka qenë një person që përplasi me makinë këmbësorët në trotuar dhe më pas qëlloi me thikë një oficer policie, para se të vritej nga autoritetet.

Deri me tash është raportuar për dy persona të vdekur, të cilët ishin shkelur nga sulmuesit me veturë. /Lajmi.net/