Graviteti i historisë

Politika dhe shoqëria kosovare janë nën ndikimin e madh të ‘gravitetit të historisë’. Ne ende nuk i kemi qëruar hesapet si duhet me të kaluarën tonë.

Lajme

21/01/2015 14:30

E martja e kësaj jave, (e 20 janarit pra), me gjasë na tregoi në mënyrën më të qartë të mundshme se si do të jetë pranvera e këtij viti, dhe mbase i gjithë ky vit. Ashtu siç ka mundur edhe të parashikohet, duket që ka ardhë koha e pagesës së llogarive, të të gjitha llojeve. Të grumbulluara për vite të tëra. Pra, në këtë ditë, njëkohësisht ndodhën tri ngjarje që shfaqnin protestën si mënyrë të artikulimit të qëndrimit politik dhe ekonomik.

Në mëngjes, mori dhenë lajmi që mbërriti nga dheu dhe galeritë e minierës së Stantërgut. Minatorët kishin hyrë në grevë, sepse duan të kuptojnë çka do të ndodhë tash e tutje me ta, me ‘Trepçën’, dhe me Kosovën. Një lidhje e këtillë e fatit u bë, siç na kujtohet të gjithëve, në vitet 1988, 1989.

Gjatë ditës, në Prishtinë u mbajtën dy tubime ku demonstrohej një vullnet i cili, sipas atyre që ishin mbledhur, është shpërfillur, së paku deri më tash, nga instancat relevante politike dhe gjyqësore të Kosovës.

Ai i pari pati si krye-temë rastin e prononcimeve publike të një Ministri në Qeverinë e Kosovës. Ky i dyti, grumbulloi në Sheshin ‘Dr.Ibrahim Rugova’, familjarët e zyrtarëve të LDK-së, të cilët janë vrarë në vitet e luftës dhe të pasluftës.

Të parët kërkuan që Kryeministri Isa Mustafa të shkarkojë Ministrin Aleksandar Jabllanoviq. Të dytët këmbëngulën që drejtësia në Kosovës duhet të merr trajtën edhe të zbardhjes së krimeve të cilat janë klasifikuar, qëmoti, si krime me prapavijë politike.

Natyrisht, mediat, rrjetet sociale, mileti (si thuhet), vlonte gjithë ditën në komentimet për te tri këto ngjarje. Ndërsa në mbrëmje, siç mund të mirret vesh lehtë prej vozitësve të taksive në Prishtinë, shtatë autobus të tjerë, të mbushur me shqiptarë të të katër anëve të Kosovës, u nisën në drejtim të Serbisë, në përpjekje për të mbërritur diku në Evropë. Për të ikë prej Kosovës.

Çka lidhë, në fakt, këto tri ngjarje të një dite të vetme?

Së pari, po shihet që ekziston një mungesë kronike e durimit tek qytetarët e Kosovës, e cila kur dyzohet me një zhvillim që ka në vete potencial serioz emocional, bën që ata që mblidhen në këto protesta, të mendojnë që janë duke mbrojtë një kauzë të drejtë, adresimi dhe zgjidhja e të të cilës është obligim i Qeverisë së Kosovës, në radhë të parë.

Së dyti, po shihet që rrugët dhe sheshet e qyteteve të Kosovës, do të jenë më tepër se sa viteve të fundit, fushëbeteja politike dhe sociale të të gjitha llojeve. Është herët të konkludohet se cili do të jetë ndikimi i këtyre protestave në rrjedhat politike në vend, apo, në çfarë shkalle ato do të influencojnë politikën kosovare. Por, gjithsesi, është gabim të injorohen ato, sikurse që duket që është teprim të llogaritet se ato do të jenë vendimtare për zhvillimet në Kosovë. Si rëndom, e vërteta ecën mesit. Edhe në këtë rast.

Së treti, së paku bazuar në çfarë kemi parë në javët e kaluara, Qeveria e re e Kosovës, e koalicionit PDK, LDK, ende nuk e ka marrë veten, ende nuk është stabilizuar, ende nuk po ecë me ritmin e duhur. Gjegjësisht, realiteti kosovar, ky që është, me njëqind telashe dhe probleme, po del që po ecë me një ritëm më të shpejtë sesa Qeveria, apo, gjithmonë po është së paku një hap para Qeverisë. Ndërsa do të duhej të ishte e kundërta. Qeveria do të duhej t’i paraprinte zhvillimeve në një shoqëri. Qeveria e re e Kosovës, deri tash, po tregon që po hamendet, po lëkundet, po vonohet, po i shkon prapa sprovave të ditës apo atyre më afatgjata. Ka mbetë, thënë ndryshe, pa kondicion, ndërsa tek ka nisë punën e saj.

Së katërti, dhe ky konkludim mbase i përmbledh në vete tre të parët, këto ngjarje po dëshmojnë që politika dhe shoqëria kosovare, tutje janë nën ndikimin e madh të ‘gravitetit të historisë’, apo, po del që ende nuk i kemi qëruar hesapet si duhet me të kaluarën tonë. Ky ‘gravitet’, nuk po na lë dot të shkëputemi një herë e përgjithmonë nga e kaluara, nga historia si çështje politike, si temë e drejtësisë, si barrë e trashëgimi për shoqërinë kosovare. E pa e hequr qafe këtë ‘gravitet’, nuk do të mund të ecim mbarë e mirë si politikë, si shoqëri, si shtet.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)