“Gratë në të Zeza” në Beograd u kërkojnë falje shqiptarëve të Kosovës

“Gratë në të Zeza” nga qeveria e ardhshme e Serbisë kërkojnë të zbulojë të vërtetën dhe të dhënat për të zhdukurit gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë dhe të hapë varrezat masive në cilat janë mbetjet mortore të shqiptarëve nga Kosova.

Lajme

26/03/2014 16:26

Gratë në të Zeza (serbe) kanë zhvilluar sot një performansë komemorative në Sheshin e Republikës në qendër të Beogradit, në shenjë përkujtimi të krimeve serbe të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë bombardimeve të NATO-s para 15 vjetësh, raporton Koha.net.

Koordinatorja e Organizatës Joqeveritare Gratë në të Zeza, Stasha Zajoviq, u tha gazetarëve se përmes aksionit “Rikonstruimi i krimit” të kolektivit artistik Arti i Klinikës dhe Fryma e Tetarit rikujtohen krimet e kryera “në emrin tonë” ndaj shqiptarëve.

“Sot përkujtojmë pogromin mbi popullatën shqiptare, e cila, përveç bombardimeve të NATO-s, iu ekspozua edhe terrorit të armatosur dhe pastrimit etnik nga regjimi serb”, tha ajo.

“Shprehim ngushëllimet tona të thella dhe solidaritetin me familjet e viktimave”, tha Zajoviq.

Gratë në të Zeza nga qeveria e ardhshme e Serbisë kërkojnë të zbulojë të vërtetën dhe të dhënat për të zhdukurit gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë dhe të hapë varrezat masive në cilat janë mbetjet mortore të shqiptarëve nga Kosova.

 

Zajoviq ka thënë se deklaratat e deritashme dhe premtimet e pushtetit kanë qenë retorikë boshe, meqë 15 vjet pas, shumica e fakteve mbi krimet në Kosovë nuk dihen.

Ajo tha se ka shumë rëndësi në mënyrë që pushteti të tregojë se me të vërtetë mendon seriozisht të ballafaqohet me të kaluarën dhe të shkëputet “nga barra e madhe e politikës së krimit” të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Nëse nuk e bën këtë do të konsiderojmë se e gjitha është frazë boshe dhe se Marrëveshja e Brukselit në fakt paraqet instrument për mbetjen në pushtet të elitës”, tha Zajoviq.

Aktivistet para monumentit Knjaz Mihaili shpalosën banerin “E mbajmë në mend krimin në Kosovë” në gjuhën shqipe e serbe, me mesazhin Gratë në të zeza kundër luftës.

Në parulla ishin të shkruara emrat e vendeve të krimit mbi shqiptarët në ksovë, ndër to Suhareka, Raçaku, Podujeva, Dubrava, Qyshku, Poikleku, Tërnja, Meja, Lubizhda…

Gjithë protestën e siguroi policia.

Në thirrjen me titull “PAMTIMO/ Kujtojmë krimet në Kosovë” për protestën në 15 shenjë të vjetorit të krimeve mbi civilët shqiptarë në Kosovë, Gratë në të Zeza rikujtuan dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e trojet e tyre, krahas marrjes së dokumenteve, keqtrajtimit, vrasjes së civilëve e të zënëve robër si dhe dhunimit të grave, shkatërrimit të shtëpive, djegies së të gjitha objekteve, plaçkitjes… “Me këtë rast shprehim ngushëllimet dhe solidaritetin me familjet e të vrarëve për humbjen e mët ë dashurve, vuajtjet e pamatura dhe poshtërimit të pafund, që ua ka shkaktuar regjimi i atëhershëm i Serbisë”, thuhet në thirrje.

Ato kërkuan që të zbardhen dhe të publikohen të dhënat për personat e zhdukur shqiptarë gjatë bombardimeve të NATO-s; të publikohen të gjitha të dhënat për varret masive në Serbi ku ndodhen mbetjet mortore të personave me kombësi shqiptare; dhe të ndërmerren të gjitha veprimet me qëllim të procedimit të përgjegjësve për krimet e bëra ndaj personave me kombësi shqiptare dhe kryesit e krimeve të marrin dënimet përkatëse, raporton Koha.net.