“Gratë në të zeza”: Na quajnë lavire, na kërcënojnë me vdekje

Aktivistet serbe “Gratë në të zeza”, të njohura me aktivitetet e tyre kundër luftës, në një intervistë ekskluzive për javoren serbe “Telegraf” zbuluan se kush i financon, a i shënojnë vërtet përvjetorët vetëm të viktimave kroate e myslimane (duke i harruar ato serbe) në luftërat e kaluara dhe me çfarë sulmesh ballafaqohen pothuaj çdo ditë. 

Lajme

01/05/2014 18:14

Ato me nënat boshnjake shkojnë në xhenaze në Potoçari të Srebrenciës, me shqiptaret organizojnë shfaqje në Preshevë, janë të vetmet të cilat nuk harrojnë që bashkë me serbët të shënojnë krimet në Rahovec, dhe që bashkë me serbët e Bosnjës të vizitojnë llogoron famëkeq Çelebiqi afër Konjicit…

Si “shpërblim”, ato kur kthehen në dyert e hyrjes së banesave të veta gjejnë të varura mace të ngordhura, i presin në mesnatë te selia e organizatës meshkuj të panjohur me shkopinj dhe me bomba gazi, u bëjnë thirrje anonime me telefon duke i quajtur lavire dhe duke iu kërcënuar se do t’i presin.

“Çdokush që nuk përshtatet me konsensuin nacional për çfarëdo çështje fiton kualifikimin ‘tradhtar’ apo ‘mercenar’. Problemi kryesor është në atë se në Serbi solidariteti me të tjerët reduktohet vetëm në dimensionin etnik, por madje as këtë dimension nuk e ka! Është imperativ yni moral që secilin pushtet ta shqetësojmë me çështjet e përgjegjësisë për krimet nga e kaluara!”, tha aktivistja kryesore Stasha Zajoviq.

Sipas saj, Gratë të zeza është organizatë që vetëfinancohet që nga viti 1991.

“Donacionin e parë e kemi marrë më 1998 nga një fondacion gjerman, ndërsa më pas kemi marrë ndihma nga grupet simotra nga mbarë bota. Është rrenë e kulluar se na financon organizata amerikane NED. Këto janë rrena të individëve të caktuar të cilët duan të pengojnë aktivitetet tona”, thotë ajo duke treguar pastaj pasqyrën financiare t; organizatës.