Gratë me rol të veçantë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

Syri i Vizionit dhe KVRL në Pejë në bashkëpunim me organizatën Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë - SPRC organizuan një Tryezë me gra vendimmarrëse për diskutimin e angazhimit të shoqërisë civile dhe akterëve tjerë lokalë kundër ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.


Lajme

18/05/2017 16:56

Në Tryezë panelistë ishin Rifat Marmullaku, përfaqësues i SPRC-së, Shaban Shala, drejtor rajonal i Policisë së Kosovës, Nushe Kuka-Metaj, gjyqtare, Lumturie Vuçetaj, prokurore, Sabahate Qorkadiu, përfaqësuese e Zyrës për Barazi Gjinore dhe Islam Husaj, kryesues i Kuvendit Komunal.

Rifat Marmullaku prezantoi të gjeturat nga raporti ” Faktorët ndikues në radikalizim dhe ekstremizëm të dhunshëm”, me theks të veçantë faktorët ndikues në radikalizim, rolin e forumeve të sigurisë në bashkësi dhe mundësitë e angazhimit të akterëve të ndryshëm në këto forume. Po ashtu theksoi rëndësinë e angazhimit të gruas duke qenë shtyllë e familjes në parandalimin e këtij fenomeni, thuhet në një njoftim dërguar mediave nga KVRL.

Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, kolonel Shaban Shala potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të trekëndëshit polici – prokurori – gjykatë, lidhur me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe gjithashtu theksoi që gratë duhet të kenë një rol më të madh në vendimmarrje duke vënë theksin tek angazhimet e policisë së Kosovës në këtë fushë.

Nushe Kuka Metaj, gjyqtare, u fokusua në veçanti për masat ndëshkuese që parashihen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe nënvizoi nevojën për reintegrimin dhe risocializimin e personave që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja.

Lumturije Vuçetaj, prokurore, tha se çdo hap i ndërmarrë është një preventivë ndaj ekstremizmit.
Sabahate Qorkadiu, nga ZBGJ vuri në pah nevojën për monitorim të ligjëratave në xhami. Ndërsa Islam Husaj, kryesues i Kuvendit Komunal potencoi krijimin e grupeve mbështetëse të rinisë për personat me rrezik të influencimit dhe bashkimin e mekanizmave në luftimin e kësaj dukurie.

Tryeza u realizua në kuadër të projektit “Promovimi i angazhimit të shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, të implementuar nga SPRC. /Lajmi.net/