Gratë e artit bashkëkohor

Historikisht, arti ka qenë hapësirë e rezervuar për burra. Por, në dekadat e fundit, gratë artiste kanë arritur të fuqizohen dhe të shndërrohen në promotore të trendeve bashkëkohore.

ShowBiz

08/11/2013 21:22

Në vitin 2008, katër autore u mblodhën për ta adresuar pyetjen e vjetër disa dekada, të parashtruar nga historianja e artit, Linda Nochlin: “Pse nuk ka pasur artiste të mëdha?”.

Autoret nuk kishin për synim që ta vërtetonin faktin historik se burrat e kanë dominuar artin botëror. Përkundrazi, Eleanor Heartney, Helaine Posner, Nancy Princenthal dhe Sue Scott, dëshironin që metodologjikisht ta hulumtonin realitetin e ri të artit pas shfaqjes së lëvizjeve feministe, duke e analizuar zhvillimin dhe suksesin e grave në këtë fushë.

Kjo iniciativë rezultoi me ribotimin e përplotësuar të veprës After the Revolution: Women Who Transformed Contemporary Art, (publikimi i parë ishte në vitin 2007), i cili i dedikohet karrierave të 12 artisteve me ndikim në pjesën e dytë të shekullit 20, duke përfshirë Louise Bourgeois,  Shirin Neshat dhe Marina Abramovic.

Derisa After the Revolution ishte një formë e homazhit për gjeneratën më të hershme të grave artiste, vepra e botuar këtyre ditëve, The Reckoning: Women Artists of the New Millennium, ka për qëllim t’i prezantojë punimet e artisteve bashkëkohore.

The Reckoning paraqet të arriturat e 24 artisteve që kanë lindur pas vitit 1960, dhe është i ndarë në katër kapituj: Bad Girls eksploron nocionet jokonvencionale të gjinisë dhe racës; History Lessons merret me rolin e individes dhe globalizimit, Spellbound përfshin veprat irracionale dhe surreale, ndërsa artistet që i qasen çështjeve të shtëpisë dhe familjes gjenden në Domestic Disturbances.

Përmbledhja The Reckoning tregon se gratë artiste jo vetëm që janë bërë pjesë e hapësirës kanonike e cila dikur ishte e rezervuar ekskluzivisht për burrat, por ato në mënyrë aktive e kanë zhvilluar botën e artit bashkëkohor, duke përdorur mediumet të reja për ta zgjeruar të konceptuarit tonë të artit.

 A.M.

Artistet e prezantuara në The Reckoning.

Mika Rottenberg, Still from Cheese, 2007

 

Sharon Hayes, In the Near Future, 2009

 

Yael Bartana, Trembling Time, 2001

 

Tania Bruguera, The Burden of Guilt, 1997–99

 

Wangechi Mutu, This you call civilization, 2008

 

Nathalie Djurberg, The Parade, 2012

 

Katarzyna Kozyra, Cheerleader, 2006

 

Kate Gilmore, Standing Here, 2010

 

Cao Fei, RMB City 4, 2007

 

Klara Liden, S.A.D., 2012