Gratë duhet të jenë promovuese të dialogut

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryetare e Lobit Rajonal të Grave në Evropën Juglindore (RWLSEE) mori pjesë në Konferencën rajonale që u mbajt në Shkup, me qëllim rritjen e rolit të grave në proceset politike dhe eurointegruese në Maqedoni dhe rajon, me theks të veçantë për angazhimin e tyre në zgjidhjen e krizave politike, përmes dialogut dhe mjeteve demokratike.

Lajme

20/10/2015 12:50

Konferenca u organizua nga Lobi rajonal i grave dhe UNWomen, dhe në të morën pjesë personalitete të jetës politike dhe shoqërisë civile nga të gjitha vendet e rajonit.

Tahiri në fjalën e saj theksoi se fuqizimi i grave në politikë dhe vendimmarrje është në interesin e të gjithë vendeve demokratike që synojnë zhvillim dhe integrime euro-atlantike.

Sipas një komunikate të Zyrës për Informim të Qeverisë, Tahiri ka thënë gratë duhet të jenë promovuese të dialogut dhe bashkëpunimit.

“Shteti dhe shoqëria duhet të investojnë më shumë në përkrahje të një statusi të barabartë për gratë në të gjitha sferat e jetës. Nga ana tjetër, gratë duhet të jenë promovuese të dialogut dhe bashkëpunimit sidomos në momente të caktuara të krizave politike në vende të ndryshme, sepse vlerat e tyre të veçanta mund të ndihmojnë në tejkalimin e situatave. Ato duhet të shquhen në proceset demokratike dhe integrimet euro-atlantike duke u bërë faktor kredibil në politikat vendore dhe ndërkombëtare”, është shprehur Tahiri.

Duke folur për marrëdhëniet ndëretnike, Tahiri po ashtu theksoi se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet plotësisht dhe në mënyrë përmbajtjesore në të mirën e shqiptarëve në Maqedoni. Vendet multietnike nuk mund të udhëhiqen me politika monoetnike sepse qasjet e tilla janë të dëmshme dhe destabilizuese, tha ajo.

Në konference morën pjesë edhe Renata Deskovska, zëvendëskryetare e Parlamentit të Maqedonisë, Irina Pockova, anëtare e Komitetit Drejtues të LRG në Maqedoni, Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës, Ermira Mehmeti, deputete në Parlamentin e Maqedonisë, Savka Todorovska, presidente e Këshillit Nacional të grave të LRG, Roza Tupozova, deputete në Parlamentin e RM, Mariana Berecz, zëvendësshefe e Misionit të OSBE në Shkup, Nada Drobnjak, deputete nga Mali i Zi, Memnuna Zvizdiq, anëtare e komitetit drejtues të LRG në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gordana Sobol, deputete në Parlamentin e Kroacisë, Flora Macula UNëomen, Kosovë, Morana Palikovic, ish-zëvendëspresidente e Kuvendit komunal në Zagreb dhe anëtare e lobit rajonal të grave, Kroaci, njoftoi shërbimi qeveritar i shtypit.