Gratë afrikane dhe shqiptare dështojnë fëmijët për shkak të mosnjohjes së gjuhës

Një studim tregon se nënat me prejardhje nga Eritrea, Kosova dhe Shqipëria kanë më shpesh ndërlikime të tilla dhe pasoja psikike.

Lifestyle

20/11/2017 20:48

Në spitalet zvicerane vazhdimisht lindin probleme të nyrës gjuhësore në mes të mjekëve dhe pacientëve të huaj. Në veçanti pasoja të rënda mund të ketë moskuptimi i gjuhës vendore nga gratë shtatzëna, të shtruara në spitale, shkruan “tagesanzeiger.ch”.

Ka ndodhur që gratë në raste të tilla edhe të kenë abortuar frytin, vetëm pse nuk e kanë kuptuar udhëzimin e mjekut. Për të shmangur këto probleme, ekspertët kërkojnë që sigurimi shëndetësor të paguajë përkthyes.

Një grua nga Eritrea kishte marrë pilula për abortim (Mifegyne) që ia kishte dhënë mjekja, ndërsa ajo kishte menduar se ato ishin medikamente që do ta ndihmonin kundër komplikimeve të shtatzënisë. Kjo është një ndër situatat e pakëndshme që përshkruan artikulli i gazetës në fjalë.

Mjekja specialiste Fana Aefaw e cila në Winterthur udhëheq një këshillim për migrantët në lidhje me traumat, njeh aktualisht dy raste në të cilat gratë kanë humbur foshnjat e tyre si pasojë e mosnjohjes së gjuhës gjermane.

Veç kësaj, një studim tregon se nënat me prejardhje nga Eritrea, Kosova dhe Shqipëria kanë më shpesh ndërlikime të tilla dhe pasoja psikike, përcjell albinfo.ch. Sikur të ishte niveli i kuptimit më i mirë, sipas autorëve të studimit, do të evitoheshin keqkuptimet e rënda dhe përvojat traumatike.

Por, sigurimi shëndetësor nuk mbulon përkthyesit. Për këtë arsye ndodh shpeshherë që të përkthejnë familjarët e grave shtatzëna, të cilët po ashtu nuk janë në gjendje t`i kuptojnë udhëzimet komplekse të mjekëve.

Prandaj, ekspertët kërkojnë që sigurimi (arkat shëndetësore) t`i paguajë përkthyesit. Përkujdesja  në këtë drejtim do të duhej të fillonte gjatë shtatzënisë. Kjo madje do të shpaguhej edhe nga ana finaciare, sepse do të shmangeshin ndërlikimet në lindje dhe pasojat e tyre.