Granit dhe Taulant Xhaka do luajnë për Kosovën

Babai i Granit dhe Tulant Xhakës, Ragip Xhaka ka konfirmuar se të dy këta lojtarë do t’i bashkohen shumë shpejt përfaqësueses së Kosovës.

Sport

05/09/2014 21:57

Granit dhe Taulant Xhaka janë ndër lojtarët më të mirë me prejardhje nga Kosova, por për fat të keq ata momentalisht bartin fanella të një shteti tjetër.

Sidoqoftë, Ragip Xhaka në një intervistë për emisionin ‘Zone e nxehtë’ në Radio Kosova, ka thënë se Graniti dhe Taulanti do të bartin fanellën e kombëtares së Kosovës atëherë kur kjo e fundit do të pranohet në UEFA dhe FIFA.

“E ardhmja e Granitit dhe Taulantit varet gjithashtu edhe nga procesi i zhvillimit të kombëtares së Kosovës. Natyrisht që ata do të bartin fanellën e Kosovës kur kjo e fundit do të pranohet në UEFA dhe FIFA. Askush  nuk mund ta ndalojë një gjë të tillë”, u shpreh Ragip Xhaka.

Momentalisht, Graniti luan për kombëtaren e Zvicrës, ndërsa Taulanti për kombëtaren e Shqipërisë, e cila do luajë me Portugalinë të dielën në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2016.