‘Grand Hotel’ privatizohet në vjeshtë

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) planifikon që gjatë vjeshtës të nxjerr në shitje hotelin “Grand”. Për mënyrën e privatizimit të saj, AKP do të konsultohet me Komunën e Prishtinës dhe me odat ekonomike, ndërsa për shitjen do të vendos bordi me përbërje të re.

Lajme

25/07/2014 11:03

Hoteli “Grand” do të dal sërish në shitje, në vjeshtën e këtij viti. Në mbledhjen e ardhshme të Bordit të AKP-së, që do të mbahet në fund të muajit gusht, planifikohet që kjo ndërmarrje shoqërore të futet në proces të likuidimit, shkruan sot Koha Ditore.

Me këtë veprim, AKP-ja synon të mbrojë këtë hotel nga paditë.

“Për shkak të ndikimit shumë të madh në publik të procesit të parë të privatizimit, AKP-ja po punon që privatizimi i dytë të jetë i suksesshëm. Për këtë ne do të konsultohemi me Komunën e Prishtinës, me odat ekonomike në mënyrë që të gjejmë opsionin më të mirë për privatizimin e këtij hoteli”, ka thënë një burim brenda AKP-së.

Pas konsultimeve, Bordi i AKP-së, do të jetë ai që vendos për mënyrën e privatizimit të Grandit”.

“Shumë do të varet edhe nga bordi i ri, pasi aktualisht jemi vetëm pesë anëtarë, ndërsa në fund të muajit korrik do të mbesim vetëm tre anëtarë. Kuvendi e ka për obligim ta plotësojë bordin edhe me pesë anëtarë të tjerë”, ka thënë ky burim i gazetës.

“Bordi i ri, pasi t’i marrë mendimet e palëve rreth mënyrës së privatizimit do të vendosë për formën më të mirë të privatizimit dhe kohën e privatizimit.”

Nëse Kuvendi e kompleton bordin brenda muajit shtator, atëherë me shumë gjasë, Grandi, sipas këtij zyrtari, do të privatizohet në vjeshtë, shkruan Koha Ditore.