Graçanicë, nuk lejohet votimi me dokumente të Serbisë

Qytetarët e komunës së Graçanicës ia kanë mësyrë qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarin e tyre. Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, kurse votimi bëhet vetëm me dokumente personale të lëshuara nga Republika e Kosovës. 

Lajme

18/01/2015 10:20

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kësaj komune që t’u përgjigjen kutive të votimit.

“Duke u bazuar në raportin e Komisionit komunal të zgjedhjeve, në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet. Në emër të KQZ-së, dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të komunës së Graçanicës që kanë të drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të dalin të votojnë”, tha Daka në konferencën e parë të sotme me gazetarë.

Kutive të votimit mbi 20 mijë qytetarë me të drejtë vote mund t’u drejtohen vetëm ata qytetarë që posedojnë dokumente të Kosovës. Kështu po veprohet edhe nga mëngjesi i sotëm.

Raportues të KosovaPress-it kanë parë në terren se qytetarët që nuk kanë dokumente të Kosovës po kthehen mbrapsht pa votuar.

Edhe në KQZ thonë se banorët e kësaj komune mund të votojnë vetëm me dokumente valide që parasheh ligji mbi zgjedhjet në Kosovë.

“Qytetarët mund të votojnë me dokumente valide ashtu siç e parasheh ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe për zgjedhjet lokale”, tha Daka. (KosovaPress)