Graçanica sot voton, 606 votues më shumë se më 2013

Nga 20,229 persona me të drejtë vote në komunën e Graçanicës, numri i tyre është rritur për 3 për qind në krahasim me zgjedhjet e fundit në fund të vitit 2013, përkatësisht për 606 persona më shumë.

Lajme

18/01/2015 08:43

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune janë gjithsej 10 qendra të votimit, me 27 vendvotime, raporton KosovaPress.

Këto zgjedhje do të vëzhgohen nga Demokracia në Veprim dhe vëzhgues të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa KQZ-ja do të mbajë konferenca të vazhdueshme gjatë ditës.

Në zgjedhjet e fundit në këtë komunë pjesëmarrës ishin 62 për qind e atyre që patën të drejtë vote.

Kryetar ishte zgjedhur me shumicë votash, Branimir Stojanoviq, i cili pati dhënë betimin para flamurit të Serbisë dhe atij të OKB-së.

Atë ditë kur nuk u betua para flamurit të Kosovës, pjesëmarrës ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Sllobodan Petroviq. Madje, aty ishte edhe ministri për Kosovën i Serbisë, Aleksandar Vullin.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë mbahen ngase Stojanoviq ka dhënë dorëheqje, meqë tashmë është emëruar zëvendëskryeministër i Kosovës nga radhët e Listës Serbe.

Në zgjedhjet në Graçanicë për kryetar të Komunës garon edhe Shaip Berisha i LDK-së. (Kosovapress)