Grabovci: Jam takuar me deputetë të LAN-it

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë se ai po takohet shpesh me deputetë të partive të bllokut opozitar dhe sipas tij ka prej tyre të cilët janë të interesuar që të zhbllokohet situata. 

Lajme

03/10/2014 23:09

Grabovci në një intervistë në Argument Plus në RTV21, ka thënë se nuk mund të ketë formim të institucioneve pa një dialog mes partive politike.

Sipas tij ka shumë deputetë edhe nga blloku opozitar që janë të interesuar për dialog me PDK-në, por ai thotë se janë liderët e këtyre partive ata që e kanë bllokuar formimin e institucioneve.

Grabovci ka thënë se takohet shpesh me deputetë të partive të bllokut te të cilët ka parë disponimin për dialog.

Sipas tij ata që thonë se nuk takohen me PDK-në, janë persona që flasin në emër të të tjerëve e jo në emër të vetin.

Ndërsa sa i përket numrave, për të cilët Grabovci thoshte vazhdimisht se PDK i ka, ai sërish insiston se mund t’i bëjnë numrat por ky sipas tij nuk është interesi i tyre.

Nënkryetari i PDK-së thotë se partisë së tyre u intereson një marrëveshje me njërën apo me disa parti, me të cilat do të bënin një koalicion i cili do të siguronte një qeverisje stabile për vendin.