Grabitje e armatosur në Gjakovë

Në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë dy persona me maska dhe me automatik AK 47 në dorë kanë plaçkitur një qytetarë në vendin e tij të punës.

Lajme

25/02/2014 09:04

Policia e Kosovës ka njoftuar për një grabitje që ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Gjakovës.

Në njërën nga rrugët e këtij qyteti, dy persona me maska dhe me automatik AK 47 në dorë kanë plaçkitur një qytetarë në vendin e tij të punës.

Hollësitë i sjell Stacioni i Policisë së Kosovës në Pejë:

“Policia e Kosovës nga stacioni policor në Gjakovë, rreth orës 19:40 të datës 24.02.2014, është njoftuar se në rr. “ Nëna Terezë ” në Gjakovë, në zyrën e PTT nr.5 dy persona te maskuar, nën kërcënimin e armës automatike AK-47 kishin kryer grabitje të armatosur”.

“Menjëherë vendit të këtij rasti i janë përgjigjur njësite policore të cilët kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme”.

“Të dyshuarit, në momentin kur viktima shtetasi shqiptar i Kosovës B.H. (1961) ishte në vendin e tij të punës në zyrën e PTT’së nr.5, aty kishin hyrë dy persona të maskuar dhe nën kërcënim të armës automatike AK-47 i kishin marrë rreth 300 euro,një telefon ‘Samsung’,si dhe kartela mbushëse të telefonisë “vala” 20×3 euro, 20×5 euro,17×10 euro,dhe menjëherë të dyshuarit ishin larguar në drejtim të pa njohur”.

“Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur edhe Njësitet e Hetimeve në nivel lokal dhe Rajonale së bashku me krim teknikën .Po ashtu është njoftuar edhe Prokurori i shtetit. Menjëherë njësite policore janë vënë në kërkim për kapjen e të dyshuarve të mundshëm të këtij rasti,dhe hetuesit rajonal në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, janë duke punuar intensivisht për të identifikuar e arrestuar të njëjtit”.