Gotze, i pakënaqur në Bayern

Mesfushori i Bayern Munichut, Mario Gotze ka pranuar se është i pakënaqur me minutazhin e tij në ekip, dhe dëshiron të luajë më tepër.

Sport

02/05/2014 14:00

Mario Gotze ka pranuar se është i pakënaqur me situatën aktuale në Bayern Munich dhe kërkon minutazh më të madh.

21-vjeçari iu bashkua gjigantit bavarez nga Borussia Dortmund në transferim me vlerë prej 37 milionë eurosh në verën e vitit të kaluar, por deri më tani nuk ka arritur të përmbush parashikimet në skuadrën e re.

Gotze kompletoi vetëm tetë ndeshje në Bundesligë deri më tani gjatë këtij sezoni dhe përfundoi në bankinë për duelin vendimtar kundër Real Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në mesjavë, duke e mbushur me pakënaqësi.

“Sigurisht, nuk jam i kënaqur me situatën time aktuale”, deklaroi Gotze për Bild.

“Por, do të vazhdoj të jap maksimumin. Shpresoj të rikthej besimin e trajnerit dhe të luaj sërish nga fillimi”, shtoi ai. Gotze ka shënuar 13 gola në 43 paraqitje në të gjitha garat për Bayernin.