Gostivarasit grumbullojnë ndihma për kumanovarët

Me iniciativë të OJQ “Euro Protekt” nga Gostivari, në qendër të këtij qyteti gjatë ditës së hënë ka filluar aksioni i quajtur “Për Kumanovën”.

Lajme

11/05/2015 22:40

Përmes kësaj iniciative synohet të bëhet grumbullimi i mjeteve të ndryshme, qofshin ato monetare apo në veshmbathje për banorët Lagjes së Trimave në Kumanovë, të cilët u dëmtuan gjatë përleshjeve të armatosura midis forcave policore dhe një grupi të armatosur, raporton portali RadioVala.

“Kemi ndërmarrë iniciativë për t’i ndihmuar dhe për tu solidarizuar me banorët e Kumanovës të cilët humbën vatrat e tyre, shtëpitë e tyre, të cilët mbetën pa asgjë prej vendbanimit të tyre. Kemi marrë iniciativën për grumbullimin e mjeteve të ndryshme, qoftë të holla, veshmbathje, ushqim dhe materiale të tjera. Çdo ndihmë nga ana e qytetarëve të Gostivarit është e mirëseardhur për t’ua lehtësuar jetesën në këto momente të vështira banorëve të Kumanovës, të cilët pësuan në ditën e djeshme dhe të pardjeshme”, theksoi Agron Sallmani nga Këshilli Iniciativ.

Aksioni do të zgjasë deri ditën e premte, ndërsa qytetarët e interesuar ndihmat e tyre mund t’i sjellin në pikën e grumbullimit të ndihmave në qendër të qytetit në Gostivar, ku janë të vendosur përfaqësuesit e Iniciativës për grumbullimin e ndihmave për banorët e Kumanovës, të cilët do jenë çdo ditë nga ora 10 e deri në mbarim të ditës.