Google projekton robotët e së ardhmes

Duket se Google nuk është e kënaqur me pajisjet si ‘Google Glass’, e as me krijimin e veturave që ngasin vet, pa shofer, apo me fotografitë që e përçojnë çdo cep të botës, për t’i rikrijuar hartat e tyre nga shikimi ‘Street View’. Hapi i radhës i Google është që ta krijojë një lloj roboti,…

Auto & Tek

05/12/2013 06:00

Duket se Google nuk është e kënaqur me pajisjet si ‘Google Glass’, e as me krijimin e veturave që ngasin vet, pa shofer, apo me fotografitë që e përçojnë çdo cep të botës, për t’i rikrijuar hartat e tyre nga shikimi ‘Street View’.

Hapi i radhës i Google është që ta krijojë një lloj roboti, jo për të shërbyer për filmat shkencorë, por për t’i zëvendësuar punëtorët në zyrat e montimit të pajisjeve elektronike.

Sipas të së përditshmes amerikane ‘The New York Times’, krijuesi i Android, Andy Rubin, është në krye të kësaj iniciative të re të Google dhe kjo kompani ka angazhuar në heshtje 7 kompani të robotikës, gjatë gjashtë muajve të fundit.

Rubin ishte inxhinier i robotikës në prodhuesin e robotëve ‘Carl Zeiss’ dhe siç ka deklaruar ai, synim i tij është që ta gjejë mënyrën që robotën t’ua lehtësojnë punët njerëzve në detyrat e përsëritura.

“Është sikur një pajisje që e di se kur do të bie shi dhe që aktivitohet automatikisht”, ka thënë ai. Ideja është që këta robotë të fokusohen më shumë në punimet për montimet e produkteve elektronike, që ende punohen kryesisht me dorë, ose në fusha të tilla si logjistika dhe distribuimi.

Rubin është i vetëdijshëm se për ta bërë faktike këtë ide, nevojitet praktikisht një dekadë. Ai ishte gjithmonë i fiksuar pas robotikës, duke e lënë postin e shefit të divizionit Android, duke u bërë drejtor i Google dhe nga ai moment e ka nisur një divizion të robotikës. Rubin, këtë e konsideron si punën më të mirë në botë.