Google nuk do probleme

Kompania Google ka premtuar ndryshime rrënjësore në mënyrën se si rivalët paraqiten në rezultatet në makinat e kërkimit, duke tentuar kështu evitimin e një gjobe multi-miliardëshe nga BE.

Lajme

05/02/2014 21:42

Kompania numër një në botë sa i përket kërkimeve në internet, Google, ka premtuar ndryshime në renditje të webfaqeve, pas një hetimi 3-vjeçar të kryera ndaj gjigantit Amerikan nga një komision Europian.

Google u akuzua se i ka favorizuar produktet e veta karshi rivalëve në renditjet e rezultateve të kërkimit.

Kompania ka thënë se po shikon për zgjidhjen e problemit të krijuar.

Në një konferencë për shtyp, Komisioneri Europian i konkurrencës – Joaquin Almunia, ka thënë se nuk do të kërkojë mendimin e konkurrentëve të Google pa u formalizuar marrëveshja.

“Konsideroj se në këtë pikë nuk kemi nevojë për një testim të tregut”, ishte deklarata e tij para gazetarëve.

Në anën tjetër, Kent Walker, avokat i Google’s, ka thënë se kompania që ai përfaqëson ka filluar punën sipas kërkesave të komisionit.

“Do të bëjmë ndryshime thelbësore në mënyrën se si operon Google në Europë.”

“Kemi punuar me Komisionin Europian që të adresojmë çështjet që ata kanë ngritur.”

Është hera e tretë që Google ofron ndryshime e lëshime për t’i larguar shqetësimet e Bashkimit Europian. Ofertat e kaluara si shfaqja e logove për të treguar se Google po e promovon një produkt të vetin nuk ishin bindëse për Komisionin Europian.

Në një deklaratë, Komisioni Europian ka treguar se Google është pajtuar që të ofrojë një tretman “më të krahasueshëm” për rivalët e vet.

“Google ka pranuar që kurdo që do të ofrojë shërbime të specializuara të kërkimit në webfaqen e vet (për shembull për produkte, hotele, restaurante etj.), shërbime të 3 rivalëve, të përzgjedhura nëpërmjet një metode objektive, do të shfaqen në atë mënyrë që do të jenë qartazi të shfaqura për përdoruesit dhe të krahasueshme me mënyrën se si Google i shfaq shërbimet e veta”.

“Objektivi im është të mbrojmë konkurrencën në favor të konsumatorëve, e jo të konkurrentëve”, ka thënë  Almunia.