Goli i Ronaldos e lë Realin në garë për titull

Goli i Cristiano Ronaldos, i shënuar në minutën e fundit të ndeshjes me Valencian, në barazimin 2:2, e ka lënë Real Madridin në garë për titull të kampionit në La Liga.

Sport

05/05/2014 11:52

Carlo Ancelotti beson se goli i Cristiano Ronaldos, në kohën shtesë, në barazimin 2:2 ndaj Valencias, e ka mbajtur Real Madridin në garë për titull të kampionit në La Liga.

Los Blancos vuajtën nga avantazhi i dyfishtë i mysafirëve, para se ylli portugez ta realizonte një super gol me thembër në minutën e 92-të.

Reali aktualisht gjendet pesë pikë prapa liderit, Atletico Madrid, por me një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa trajneri italian beson se, nëse nuk do të ishte goli i Ronaldos, gjiganti spanjoll do të mbetej jashtë garës.

“Goli i Ronaldos është mjaft i rëndësishëm, sepse duke e humbur lojën, do të thoshte se e kemi humbur ligën”, deklaroi Ancelotti pas ndeshjes.

“Siç e kam thënë më parë, liga do të vendoset në ndeshjen e fundit. Ishte një javë e vështirë për të tria ekipet. E nisëm lojën mirë, por u bë mjaft e vështirë të luanim me të njëjtin intensitet”.

“E lëshuam një mundësi të mirë të avanconim në ligë, por ende s’ka marrë fund asgjë. Është normale se ekipi nuk është i lumtur, sepse u munduam të fitonim dhe nuk e arritëm këtë. Do të luftojmë deri në fund”, përfundoi Ancelotti.