Gol i Shaqirit, fitore e Zvicrës

Xherdan Shaqiri u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, dhe shënoi gol në fitoren e Zvicrës në miqësore kundër Perusë me rezultat 2:0. Në këtë ballafaqim u paraqitën edhe katër futbollistë të tjerë shqiptarë.

Sport

03/06/2014 23:27

Zvicra, me tre futbollistë shqiptarë në formacionin bazë, dhe Xherdan Shaqirin e Blerim Xhemajlin të inkuadruar në pjesën e dytë, mposhti Perunë në miqësore, me rezultat 2:0.

Skuadra helvetike shënoi fitore, edhe pse në mënyrë jo të lehtë, duke vazhduar përgatitjet për fillimin e Kampionatit botëror në Brazil.

Selektori Ottmar Hitzfeld inkuadroi tre futbollistë shqiptarë në formacionin bazë: Valon Behrami, Granit Xhaka dhe Admir Mehmedi.

Pjesa e parë nuk solli gola. Mirëpo, rezultati ndryshoi pas intervalit. Xhemajli u inkuadrua në lojë duke zënë vendin e Behramit kurse Shaqiri u inkuadrua në lojë në minutën e 64-të në vend të Xhakës.

Zvicra kaloi në epërsi me golin e mbrojtësit Stephan Lichtsteiner në minutën e 78-të, kurse fitoren skuadrës helvetike ia siguroi Shaqiri me golin e tij, pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt.