Goditet një grup falsifikatorësh në Elbasan, sekuestrohen qindra dokumente zyrtare (Foto)

Tre persona kanë rënë në pranga pasi akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe vepra të tjera penale, ndërsa policia e Elbasanit ka sekuestruar letërnjoftime të falsifikuara, 2.5 kg zhivë e bardhë, 4 aparate celularë, 5 vula të institucioneve të ndryshme dhe pikave të kalimit kufitar, 1.000 dinarë, 1.000.000 lekë dhe 1.500 euro si dhe sende të tjera të cilat i shërbenin grupit për realizimin dhe bërjen e dokumenteve të falsifikuara.

Lajme

08/12/2015 08:52

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, Specialistët kundër Trafiqeve   dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar,  në  Drejtorinë Vendore të Policisë  Elbasan, si rezultat i një pune të  mirëorganizuar, finalizuan me sukses operacionin e Koduar “KALAJA”

Si rezultat i këtij operacioni, u bë e mundur arrestimi në flagrancë i tre shtetasve:

Anastas Çyço, 51 vjeç, banues në  Elbasan.

Alban Nuredini, 38 vjeç, banues në  Elbasan.

Lulëzim Gjoci, 48 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar me parë me 3 vjet burg për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake dhe municioneve”.

Grupi hetimor ka ushtruar një kontroll në banesat e tyre, ku ka gjetur dhe sekuestruar në     cilësinë e provës materiale:

  • 50 pasaporta shqiptare të falsifikuara,
  • 3 pasaporta Bullgare të falsifikuara,
  • 1 pasaportë Greke e falsifikuar,
  • 3 karta identiteti Bullgare të falsifikuara,
  • 2 leje drejtimi Bullgare të falsifikuara,
  • 1 vizë kalimi të shtetit të Pakistanit e falsifikuar,
  • 200 dokumente të tjera të falsifikuara, si:
  • leje drejtimi, leje qarkullimi, dëftesa të ndryshme pjekurie, diploma të degëve ndryshme të shkollës së lartë, certifikata personale dhe familjare, akte pronësie noteriale të qytetit të Tiranës, vërtetime të shkollave të ndryshme, vërtetime të bashkisë Elbasan,
  • 3 Leje Qëndrimi në shtetin Italian,
  • 1 raport mjeko-ligjorë i Poliklinikës së Elbasanit,
  • vërtetime bosh të Drejtorisë Arsimore të qytetit të Tiranës,
  • Akte Vlerësimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor,
  • Certifikata Trajnimesh të ndryshme të lëshuara nga USAID,
  • 2.5 kg zhivë e bardhë,
  • 20 fotografi të personave të ndryshëm të cilët kanë bërë porosi për dokumente të falsifikuara,
  • 4 aparate celularë,
  • 5 vula të institucioneve të ndryshme dhe pikave të kalimit kufitarë,
  • 1. 000 dinarë, 1.000.000 lekë,
  • 1.500 euro, si dhe sende të tjera të cilat i shërbenin grupit për realizimin dhe bërjen e dokumenteve të falsifikuara.

Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për  veprime  të  mëtejshme për veprën  penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i pasaportave dhe vizave”, “Moskallëzim krimi” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive“, të kryera në bashkëpunim./ Ballkanweb

Elbasan-3Elbasan-4Elbasan-5