Gjysmëhëna e Kuqe Turke shpërndan kurbane në Shqipëri

Ambasadori i Turqisë në Tiranë Bayraktar në një fjalim të mbajtur përpara të pranishmëve tha se Turqia dhe populli turk ka qenë jo vetëm një ditë, por 365 ditë të vitit pranë tyre dhe se do të vazhdojnë të jenë.

Lajme

14/09/2016 21:44

Gjysmë Hëna e Kuqe Turke ka shpërndarë mish kurbani për njerëzit në nevojë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë kuadër ditën e tretë të festës së Kurban Bajramit ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar, përfaqësues të Gjysmë Hënës së Kuqe dhe kryetari i Shoqatës Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së ndihmave për anëtarët e Shoqatës Kombëtare të Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë, në Tiranë.

Ambasadori Bayraktar në një fjalim të mbajtur përpara të pranishmëve tha se Turqia dhe populli turk ka qenë jo vetëm një ditë, por 365 ditë të vitit pranë tyre dhe se do të vazhdojnë të jenë. Ai falënderoi Gjysmë Hënën e Kuqe Turke për shpërndarjen e kurbaneve në Shqipëri si dhe uroi të pranishmit për festën.

Ndërkohë kryetari i Shoqatës Kombëtare të Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë, Shefqet Taku falënderoi Ambasadën, shoqatat dhe shtetin e Turqisë për ndihmën e ofruar duke e quajtur atë si një ndihmë kuptimplotë dhe të dobishme për këtë komunitet.

Në një deklaratë për AA përfaqësues nga Drejtoria qendrore e Gjysmë Hënës së Kuqe Turke Bekir Sıdkı Pekmezci tha se kanë shpërndarë kurbane në disa qytete dhe fshatra të Shqipërisë. Ai gjithashtu falënderoi shoqatën ALSAR për mundësimin e një aktiviteti të tillë.

Ndërsa kryetar i Gjysmë Hënës së Kuqe për qytetin e Zonguldak-ut, Nihat Aygün në fjalën e tij tha se për herë të parë në saje të bashkëpunimit me shoqatën ALSAR kanë prerë kurbane në Shqipëri.

“Kemi bërë 125 kurbane të mëdha (gjedh) në Shqipëri dhe në bashkëpunim me ALSAR i kemi shpërndarë ato për familjet në nevojë. Jemi shumë të lumtur që jemi sot me vëllezërit tanë muslimanë këtu dhe të dëgjojmë problemet e tyre”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër kryetari i Shoqatës ALSAR, Mehdi Gurra tha se organizata që ai drejton ka organizuar prerjen dhe shpërndarjen e 273 kurbaneve të mëdha dhe 50 të vegjël për familjet në nevojë në të gjithë Shqipërinë.

“Mishi i kurbaneve të prera do të hyjë në 10 mijë familje në të gjithë Shqipërinë. Deri ditën e djeshme kemi shpërndarë 7 mijë pako, ndërsa sot jemi duke shpërndarë dhe 3 mijë të tjera. Këtë vit kemi shpërndarë kurbane në 16 pika të ndryshme në të gjithë vendin. Në këtë mënyrë jemi munduar dhe kemi punuar për të shpërndarë këto kurbane të cilat na i kanë dhënë amanet për familjet në nevojë”, tha Gurra, duke theksuar se për here të parë ALSAR këtë vit ka organizuar prerjen e kurbaneve me një organizatë siç është Gjysmë Hëna e Kuqe. Ai falënderoi Gjysmë Hënën e Kuqe për besimin dhe theksoi se ajo është kontribuuesja më e madhe në këtë organizim.

Gurra në vijim tha se krahas Gjysmë Hënës së Kuqe, ALSAR ka bashkëpunuar me një sërë shoqatash për shpërndarjen e kurbaneve siç është IHH me qendër në Turqi, HASENE dhe VEFA me qendër në Gjermani, Dosteli nga Konya, etj.

Gurra tregon se prerja e kurbaneve është bërë në një pikë, ndërsa shpërndarja e tyre është bërë në bashkëpunim me qeverisjen vendore dhe zyrat për ndihmën ekonomike në këto zona.