Gjysma që është Zero

Normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, ka domethënien, mbi të gjitha, të ndryshimit thelbësor në qasje, në kulturën politike, në mentalitetin politik të Serbisë ndaj Kosovës.

Lajme

23/04/2015 11:50

Ne nuk jemi ata që kemi qenë. Ne i kemi kuptuar gabimet tona. Ne kemi ndryshuar. Si të tillë, ne do to jemi partnerë të Perëndimit, tash e tutje, në dy proceset kyçe për Serbinë: Integrimin e Serbisë në BE dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Këto pak fjali përmbledhin porositë kryesore të liderëve serbë të dalë nga zgjedhjet e vitit 2012, kur dy partitë që kishin bërë luftën në Kosovë  (në vitet 1998, 1999), të cilat i fituan këto zgjedhje, tani shpreheshin të gatshme që ta bëjnë një paqe të mirëfilltë me Kosovën, përmes bisedimeve të Brukselit, të përkrahura fuqishëm nga SHBA-ja dhe Gjermania.

Zaten, nuk ka temë a çështje që më mirë ka përshkruar orientimin e një politikani/ partie dhe të një Qeverie në Serbi, se sa Kosova. Gjithçka, në këtë aspekt, nisë dhe soset në Kosovë. Jo në mit dhe me mit, por në realitetin e Kosovës.

Kosova solli në pushtet Sllobodan Millosheviqin, në ballë të valës së popullzimit serb në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar; Kosova ia mori këtë pushtet dhe e dërgoi në Hagë, në Tribunalin për krime lufte, ku edhe vdiq  (në vitin 2006).

Kosova tash do të dëshmojë, më mirë se gjithçka tjetër, a e ka Serbia përnjëmend kur bëhet fjalë për orientimin e saj të synuar perëndimor, apo, e tëra është vetëm një lojë politike, deri te një shans tjetër për t’i kthyer gjërat ashtu siç kanë qenë sa i përket pozicionit tej mase të privilegjuar të Beogradit në Ballkan.

Por, këtu, objektivisht, dukuritë kanë marrë trajtën e pakthyeshme. Prandaj, normalizimi i njëmendtë i marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, i cili, në finalen e tij njeh pashmangshmërinë e njohjes së Kosovës nga Serbia, njëmend është interes jetik i Beogradi dhe i çdo qeverie të Serbisë.

Por ky normalizim i synuar, është një detyrë thuaja e përditshme, e cila nuk zhbëhet dot vetëm duke nënshkruar një apo edhe shumë më tepër Marrëveshje me përfaqësuesit e Kosovës. Nuk është kjo një temë që si rëndom, mund të kontekstualizohet brenda atij rrëfimi të njohur për gotën gjysmë të mbushur apo gjysmë të zbrazur. Njësia matëse në këtë proces nuk është gjysma, cilado qoftë ajo. Edhe nëse kjo ndërmarrje e ka kaluar një pjesë të udhës, nuk do të thotë që e tëra nuk mund të kthehet në fillim, në pikën nismëtare. Këtij procesi më së miri i rri ai krahasimi me biçiklistin: Nuk ka si të ndalet, në rrugëtimin e tij, pa mbërri në cakun e dëshiruar, sepse aty ku ndalet, ai rrëzohet.

Përpjekja për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, ka domethënien, mbi të gjitha, të ndryshimit thelbësor në qasje, në kulturën politike, në mentalitetin politik të Serbisë ndaj Kosovës. Dhe as këtu, nuk është rendi i një çerek a gjysmë ndryshimi, ose i një dyzimi të dy qasjeve, të cilat kinse bashkëjetojnë.

Ta zëmë, nuk mundet udhëheqja e Serbisë të pretendojë që është e sinqertë në bisedimet me lidershipin e Kosovës në Bruksel, e njëkohësisht, jo vetëm të mos lejojë që në Beograd të qëndrojë Zëvendës-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, por për më shumë, ai të kualifikohet me fjalorin i cili ka qenë në fuqi në atë periudhën, e cila është braktisur zyrtarisht prej kryepolitikanëve të Serbisë. Këto dy sjellje nuk shkojnë bashkë.

Vizita e Thaçit në Beograd do të ishte një shenjë shumë domethënëse që do ta konfirmonte mësymjen e Serbisë që ta ndryshojë, një herë e përgjithmonë, politikën ndaj Kosovës. Kundërshtimi i kësaj vizite, e vë në dyshim këtë synim.

Po i njëjti konkludim sipërfaqësohet edhe me lojërat politike të cilat Beogradi zyrtar i ka bërë muajve të fundit me kthimin e ‘Listës Serbe’ në institucionet qendrore të Kosovës, pastaj, me ‘Parkun e Paqes’ mbi Lumin Ibër, me mbajtjen gjallë të pasigurisë në Veri të Kosovës, me fuqizimin e strukturave paralele në Kosovë, me ngecjet evidente në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit, (2013).

Viti i kaluar, për shkaqe fare mirë të njohura, ishte vit i vendnumërimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. Ky vit nuk do të njeh kategorinë e ngecjes: Ose zhvillimet do të ecin para, ose do të ndodhë prapakthimi. As këtu pra, mes nuk ka.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)