Gjysma e popullatës në botë jeton me pesë euro në ditë

Përkundër zvogëlimit të varfrisë ekstreme, gati gjysma e popullatës botërore jeton me më pak se 5,50 dollarë në ditë (4.76 euro), dhe po shtohet pjesa e varfër në ekonomitë e pasura botërore, ka bërë të ditur Banka Botërore (WB).

Bota

17/10/2018 20:42

Në raportin gjysmëvjetor, WB ka publikuar analizën e gjerë të varfrisë për të treguar prapambetjen e disa vendeve, ndonëse pjesa e atyre që jetojnë në varfri ekstreme – duke fituar më pak se 1.90 dollarë në ditë – sipas agjencive ka vazhduar të bjerë viteve të fundit, transmeton gazetametro.net.

Në bazë të kritereve të zgjeruara për varfri, në raport konstatohet se numri i të varfërve në tërë botën ende “është papranueshëm i madh”, deri sa frutat e rritjes ekonomike “ndahen jo barabar ndërmjet regjioneve e shteteve”.

Ndonëse rritja globale ekonomike në vitet e fundit është ngadalësuar, numri i përgjithshëm i njerëzve të cilët jetojnë në varfri ka rënë nga mbi 68 milionë ndërmjet 2013 e 2015 – që është numër baras me popullatën e Mbretërisë së Bashkiuar apo Tajlandës.

Përkundër përmirësimeve, në raport thuhet se trendet e tanishme tregojnë se qëllimi i Bankës Botërore për zvogëlimin e varfrisë globale në më pak se tre për qind të popullatës botërore – mund të jetë i paarritshëm.