Gjysma e komunave në balotazh, KQZ tregon se a do të ketë nevojë për buxhet shtesë

Rezultatet e zgjedhje lokale të 22 tetorit kanë bërë që nga 38  komuna të Kosovës gjysma të shkojnë në balotazh, ku raundi dytë është caktuar të mbahet më 19 nëntor.

Lajme

24/10/2017 10:28

Për organizimin  e raundit të dytë, KQZ nuk do të ketë nevojë për buxhet shtesë, pasi në  buxhetin e ndarë për zgjedhjet lokale është planifikuar edhe mundësia e balotazhit.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë për lajmi.net se për organizimin e zgjedhje lokale janë planifikuar 6.1 milionë euro, ku në kuadër të kësaj shume është planifikuar edhe mundësia që të ketë edhe raund të dytë.

“Në Ligjin për Buxhet për vitin 2017 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, në programin për Zgjedhjet Lokale janë planifikuar 6.1 milion euro. Në kuadër të kësaj shume është i planifikuar edhe mundësia që të kemi raund të dytë të zgjedhjeve”, ka thënë Elezi për lajmi.net.

Në zgjedhjet e 22 tetorit dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte 43.68 për qind./Lajmi.net/