Gjysma e komunave do të udhëheqen nga partitë e njëjta

Zgjedhjet lokale balotazhi i të cilave përfundoi dje në shumicën e komunave nuk ka sjellur shumë ndryshime.

Lajme

20/11/2017 22:01

Në më shumë se 15 komuna qytetarët kanë vendosur të mos e nëdrrojnë qeverisjen, duke i besuar partive dhe kandidatëve që ishin në udhëheqje.

Fushë Kosova, Deçani, Juniku, Hani i Elezit, Peja, Drenasi dhe Lipjani qysh në raundin e parë vendosën që të mos e ndërrojnë qeverisjen, duke votuar me mbi 50% partitë të cilat edhe më herët qeverisnin atje, shkruan lajmi.net

Në Fushë Kosovë triumfoi bindshëm Burim Berisha i LDK-së, parti e cila arriti ta mbajë qeverisjen edhe në Lipjan duke fituar pa balotazh.

Në qeverisje të LDK-së do të vazhdojë të mbetet edhe Peja, ku Gazmend Muhaxheri fitoi mbi 50% të votave.

Në Deçan fitoi qysh në raundin e parë Bashkim Ramosaj i AAK-së. Nga e njëjta parti, Agron Kuçi do ta vazhdojë të qeverisë në Junik.

Kurse, kandidati i pavarur Rufki Suma ka siguruar edhe një mandat në krye të Hanit të Elezit.

Edhe në balotazh qytetarët vazhduan të besojnë në shumicën e komunave.

Lidhja Demokratike e Kosovës arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të vazhduar me udhëheqje në Gjilan, Istog e Podujevë.

PDK-ja edhe pse humbi në Prizren e Klinë, ka fituar edhe një mandat në Kaçanik dhe Shtime ku ka udhëhequr edhe më herët.

AAK-ja e ruajti qeverisjen në Obiliq, kurse Nisma për Kosovën do të vazhdojë të qeverisë në Malishevë, ndryshe komuna e vetme me të cilën udhëheq kjo parti.

Edhe AKR-ja e ka ruajtur komunën e vetme ku ka udhëhequr. Bëhet fjalë për Mitrovicën, ku Agim Bahtiri fitoi bindshëm përballë Valdete Idrizit.

Se a do ta ruajë Vetëvendosja qeverisjen në Prishtinë mbetet të shihet. Diferenca aktualisht është shumë e ngushtë, kurse pritet të vendosin mbi 1 mijë e 800 vota të cilat janë me kusht.

Pra, 16 komuna do të vazhdojnë të qeverisjen nga partitë e njejta, duke mos ndërruar qeverisje. /Lajmi.net/