Gjysma e bizneseve s’paguajnë tatim

Në Kosovë janë të regjistruara mbi 120 mijë biznese, por jo të gjitha nga to janë aktive, apo paguajnë obligimet tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës, pasi në këtë të fundit figurojnë vetëm gjysma e tyre.

Lajme

22/02/2014 09:11

Vetëm gjysma e bizneseve të regjistruara paguajnë tatim në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë të regjistruara mbi 120 mijë biznese, por jo të gjitha nga to janë aktive, apo paguajnë obligimet tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës, pasi në këtë të fundit figurojnë vetëm gjysma e tyre, raporton Evropa e Lirë.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve janë të regjistruara mbi 127, 000 biznese.

Por, një numër i këtyre bizneseve që janë të regjistruara nga periudha 2000 deri në mars të 2003-s, nuk e kanë bërë riregjistrimin e tyre, ndërkaq një pjesë e bizneseve që janë të regjistruara, konsiderohen se nuk e zhvillojnë aktivitetin e tyre për arsye të ndryshme.

Në anën tjetër, në Administratën Tatimore të Kosovës janë të regjistruara mbi 60 mijë biznese (përfshirë këtu edhe personat fizikë), që deklarojnë dhe paguajnë tatimet.

Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike, shprehen të shqetësuar lidhur me këtë fakt.

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Ymer Havollim thotë për Evropa e Lirë se pasojat e mospagesës së obligimeve të bizneseve që kanë ndaj shteti, janë jashtëzakonisht të mëdha dhe në këtë mënyrë, sipas tij, po legalizohet evazioni fiskal.

“Së pari bëhet dëmi në buxhet, pastaj po krijohet një kulturë, krijohet një konkurrencë jo e shëndoshë, praktikisht po e legalizojmë evazionin fiskal”.

“Ky evazion fiskal, i cili tashmë është brenda në kompani, përveçse e kemi evazionin fiskal mjaft të theksuar në kufi, ky evazion fiskal po na paraqitet te subjektet ekonomike, që në një mënyrë ose tjetër, do të kishin më shumë benificione se sa që kanë kursime nga ikja nga tatimet”.

Një profesor tjetër i Fakultetit Ekonomik në UP, Naim Gashi, thotë se kompanitë, të cilat zhvillojnë aktivitete afariste dhe nuk paguajnë obligimet tatimore, e dëmtojnë buxhetin.

“Ato krijojnë një zhbalancim në treg për arsye se krijohet një ekonomi joformale dhe konkurrencë jolegale”.

“Ne, në këtë mënyrë, kemi disa kompani, të cilat i paguajnë taksa shtetit dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre, janë më të larta në treg”.

“Dhe, disa kompania që nuk i paguajnë taksa shtetit ato në fakt kanë çmime më të ulëta në treg dhe i krijojnë vetes dhe prodhimeve të tyre, shërbime dhe favore duke shkelur rregullat e ekonomisë së tregut”.