Gjyqtarja e akuzuar për korrupsion rikthehet nga Italia pa bashkëshortin

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea është rikthyer në Shqipëri nëpërmjet portit të Durrësit. Gjyqtarja Andrea akuzohet nga prokuroria se ka marrë ryshfet prej 50 mijë eurosh për një çështje gjyqësore në Gjykatën e Lartë në lidhje me një pronë prej 40 hektarësh në Butrint.

Lajme

18/07/2016 15:51

 

Gjyqtarja është pezulluar nga detyra si anëtare e Gjykatës së Lartë, për të cilën është njoftuar edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Gjyqtarja Andrea është rikthye nga Italia pa bashkëshortin, Odhise Andrea, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë arrest me burg.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhej se bashkëshorti i gjyqtares kishte marrë shumën e parave nga shtetasi Ilia Çabiri, i cili kishte çuar çështjen në Gjykatën e Lartë për një pronë prej hektarësh në Butrint.

Shuma e parave sipas Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka hetuar rastin, është dhënë një ditë para vendimit, pra më 11 korrik 2016, ndërsa një ditë më vonë, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar padinë dhe paditësi ka përfituar pronën me vendim në favor të shtetasit Ilia Çabiri.

Vendimi është marrë më 12 korrik dhe gjyqtarja Andrea ishte anëtare e trupës që shqyrtonte çështjen.