Gjykohet edhe një rast i vjedhjes së rrymës

I akuzuari për vjedhje të shërbimeve komunale, Naim Demi, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Lajme

29/08/2018 11:04

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit, Kujtesa Fazliu, i akuzuari Demi, ka mohuar fajësinë se ai ishte kyçur jashtëligjshëm në rrjetin e KEDS-it.“Me dijen tem nuk oshtë bo ajo punë. Unë s’marrë vesh kurgjo me rrymë, po edhe me ditë nuk e kisha bo këta për çka po akuzohna. Unë 4-5 ditë nuk jam te shpija dhe nuk e kam ditë çka ka në tavan, le të përgjigjen edhe gruaja e djali, kushdo sepse edhe unë kam dinjitet”, deklaroi tashmë i akuzuari, Naim Demi, për të cilin pretendohet se me veprimet e tij, i ka shkaktuar dëm KEDS-it në shumë prej 133.03 euro.

Gjykatësi i rastit, Sadri Krasniqi, e ka njoftuar të akuzuarin se ka të drejtën e ankesës në afat prej 15 ditësh, për hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj. Ndërsa, për seancën e radhës, ka thënë se palët do të njoftohen me anë te shkresave të gjykatës, ku të ftuar në cilësinë e dëshmitarëve do te jenë punëtorët e KEDS-it, distrikti në Gjilan Xhelal Maliqi, Ilir Tahiri, Valdet Hoxha.

Sipas aktakuzës, Naim Demi, akuzohet se më 14 prill 2017, në shtëpinë e tij në fshatin Ruboc të Komunës së Kamenicës, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, i cili ashtu që nga rrjeti i të dëmtuarës KEDS, Distrikti në Gjilan, është lidhur direkt jashtë pikës matëse.

Gjithnjë sipas prokurorisë, energjia e shfrytëzuar nga Naim Demi, fare nuk është regjistruar dhe kështu ai ka dëmtuar KEDS-in, në shumë prej 133.03 eurosh. Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së.