Gjykimi për mashtrim: Kërkon kompensim mbi 271 mijë euro

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë u dha fjala përfundimtare në rastin e dy të dyshuarve për mashtrim në bashkëkryerje.

Lajme

18/08/2018 13:02

Ukë Lekaj dhe Ismet Osmani dyshohen nga Prokuroria që në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale të mashtrimit.

Sipas aktakuzës dyshohet se Ukë Lekaj dhe Ismet Osmani, si bashkëpronar të firmës Sh.p.k “Lori” me seli në fshatin Novosellë e Ulët të Gjakovës, duke ushtruar veprimtarinë për hulumtimin e kromit i kanë fshehur faktet me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Në aktakuzë thuhet se ata e kanë mashtruar të dëmtuarin Gjon Gjokaj, dhe e kanë nxitur të kryejë një veprim në dëm të pasurisë së tij duke marrë shumën e parave në vlerë prej 271,500 euro.

Aktakuza shpjegon se ata janë dakorduar që i dëmtuari t’i investojë këto para në firmën Sh.p.k “Lori”, mirëpo ata licencën e firmës Lori ia kishin shitur kompanisë “Sokoli Company” në Prizren, me bashkëpronar Petrit Spahija dhe Skender Vata, në shumë prej 162.000 euro, pa i treguar të dëmtuarit Gjon Gjokaj.

Me këto veprime dyshohet se Ukë Lekaj dhe Ismet Osmani në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit.

Por mbrojtësi i të akuzuarit Ukë Lekaj, avokati Mentor Neziri, në fjalën e tij përfundimtare e kundërshtoi gjendjen faktike të përshkruar në aktakuzë, duke kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij ta shpallë të pafajshëm.

I akuzuari Lekaj shtoi se dëshmitë e dhëna në gjykatën e Gjakovës dhe të Prizrenit (dega në Suharekë), si dëshmia e dëshmitarëve Petrit Spahiu, Skender Vata dhe Mark Pitaqi, duke i krahasuar me dëshmitë e tyre që i kanë dhënë  gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar ajo që ai kishte thënë në prokurori.

“Vlera prej 40 mijë euro i është kthyer Gjon Gjokaj, ndërsa për të vërtetuar këto fjalë të mia, kërkoj nga prokurori që të merret me falsifikatorë, të cilët kanë falsifikuar dokumentin dhe të e vërtetoj këtë gjë”, tha Lekaj.

Prokurori i shtetit Agron Matjani, ka dorëzuar me shkrim fjalën përfundimtare para gjykatës ku ka kërkuar njëherë që dy të akuzuarit të dënohen për veprën penale të kryer.

Matjani në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe, sipas tij, me provat e paraqitura, dëshmitë e dëshmitarëve dhe faktet është vërtetuar mjaftueshëm se këtu dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale “mashtrim në bashkëkryerje”.

Avokati Agim Muhaxhiri si mbrojtës i të akuzuarit Ismet Osmani, në pretendimet e paraqitura në fjalën e tij përfundimtare me shkrim kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga përgjegjësia penale për veprën që i ngarkohet.

I dëmtuari Gjon Gjonaj, përmes përfaqësuesit të tij avokatit Ergjyment Barballushi, kërkoi nga gjykata që të akuzuarit në mënyrë solidare t’ia kthejnë shumën e shpërdorur prej 271.500euro.

Për këtë rast gjyqtarja Diana Sina, do ta shpallë aktgjykimin të hënën.