Gjykimi ndaj policit kufitar, dëshmitari thotë se bashkë me të kërkuarin nga Interpoli kishin hyrë në Kosovë pa prezantuar dokumente

Pa prezantuar asnjë dokumentacion të tyre, në korrik të vitit të kaluar, kishin hyrë në Kosovë nga pika kufitare në Han të Elezit, i kërkuari nga Interpoli, Xhemajl Gottermejer dhe nipi i tij, Fuhad Ibishi.

Lajme

19/04/2018 20:15

Këtë deklaratë e dha Fuhad Ibishi, në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor ku i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është polici kufitar, Shpëtim Bela.

Ky i fundit po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, se i kishte mundësuar të kërkuarit nga Interpoli, Xhemajl Gottermejer të hyjë në Kosovë pa u regjistruar fare në sistemin SMK.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit të këtij rasti, Bujar Qerkini, se si kishte rrjedhur ngjarja në ditën kritike më 13 korrik të vitit të kaluar, dëshmitari Ibishi, u përgjigj se në ditën që kishte ndodhur rasti bashkë me dajën e tij, e kishin kaluar kufirin në Han të Elezit, pa ndonjë problem.

“Atë ditë jam taku me dajën tem Xhemajlin dhe nga Shkupi jemi nis për aeroportin e Prishtinës ku kemi pas të marrim gruan e dajës. Kemi qenë vetëm unë dhe daja në në një veturë të tipit ‘Fiat Punto’, të cilën e kemi marr në ‘Rent a car’. Kur e kemi kaluar kufirin nuk kemi dorëzuar dokumentet dhe nuk kemi pas asnjë problem”, tha dëshmitari Ibishi.

Në pikë kalimin kufitar të Hanit të Elezit, dëshmitari tha se janë takuar edhe me tani të akuzuarin Shpëtim Bela, për të cilin tha se ka qenë hera e parë që e ka parë, pasi më herët nuk e ka njohur.

Me të akuzuarin Bela, dëshmitari Ibishi tha se ka biseduar daja i tij Xhemajl Gottermejer. Më  pas, vazhdoi dëshmitari, ai bashkë me dajën e tij, kishin kaluar kufirin dhe kishin shkuar në aeroportin e Prishtinës ku e kishin marr gruan e dajës së tij, të cilën e kishin dërguar pastaj në Kaçanik.

Kur u pyet nga prokurori Qerkini, se si kishin arritur ta kalonin kufirin pa prezantuar ndonjë dokument të tyre, dëshmitari Ibishi tha se nuk i kujtohet, pasi që ka kaluar kohë që nga dita kur kishte ndodhur rasti.

Në rrugën e kthimit për në Shkup, dëshmitari Ibishi tha se ishin ndalur në pikën kufitare të Hanit të Elezit.

“Kur kemi mbërri në kufi kemi dorëzuar dokumentet tona. Aty daja ka biseduar me një polic që ka qenë në kabinë dhe pastaj më ka thënë të vazhdoj të vozis. Dokumentet që i patëm dorëzuar të polici në kufi nuk i kemi marr”, tha në dëshminë e tij, Ibishi.

Mirëpo, nuk kishte shkuar larg dhe dëshmitari tha se është ndalur në gjysmë të rrugës në zonën neutrale mes kufirit të Kosovës dhe Maqedonisë. Aty nga vetura kishte dal, daja i tij, i cili ishte larguar pa i treguar dëshmitarit se pse ishte larguar, siç tha Ibishi.

“Kur jom ndal në gjysmë të rrugës dhe pasi që daja është larguar, unë vet jam kthyer në kufi për t’i marr dokumentet. Kur kam shkuar te kufini, policia më ka ndal dhe më ka futur në një objekt brenda”, vazhdoi dëshminë e tij, Ibishi.

Prokurori Qerkini, e ballafaqoi dëshmitarin Ibishi edhe me disa fotografi, në të cilat siç e pohoi edhe dëshmitari, shihej se si një polic kishte ardhur për të përshëndetur atë dhe dajën e tij. Mirëpo në lidhje me disa foto të tjera, dëshmitari tha se nuk mund të konfirmojë se kush janë personat në foto apo a është vetura e tij ajo që shihej.

“Nuk po shihen mirë fotot. Mu nuk më kujtohet mirë, mirëpo nëse po thoni që në foto është ashtu, atëherë ashtu ka qenë”, u përgjigj Ibishi.

Dëshminë e tij në seancën e së enjtes e dha edhe hetuesi policor në pikën kufitare të Hanit të Elezit, Arif Krivanjeva.

Ky i fundit tha se në ditën kritike kur kishte ndodhur rasti, ishte kontaktuar në telefon nga Shpëtim Bela, i cili e kishte pyetur në lidhje me personin i cili kishte ikur nga policia.

“Shpëtimi më ka kontaktuar pasi që personi në fjalë ka ikur. Ai më tregoi se një dhëndër i tij kishte pasur problem nga policia kufitare dhe më tha se a e din arsyen se pse. Unë i tregova që për këto këto arsye. A ka mundësi me tha Shpëtimi qe unë të tentoj të bindi personin në fjalë mu kthy dhe mu dorëzu të policia. Unë i thash qe nëse mundesh me bind, hala me mirë”, e përshkroi bisedën që kishte pasur dëshmitari Krivanjeva me të akuzuarin Bela, në ditën kritike.

Mirëpo, përkundër se i akuzuari kishte tentuar ta bind dhëndrin e tij, që të kthehet e të dorëzohet në polici, dëshmitari Krivanjeva tha se pas rreth 10 minutash, Bela e kishte thirrur përsëri në telefon dhe e kishte njoftuar se nuk kishte arritur ta bind dhëndrin e tij të kthehet.

Dëshmitari Krivanjeva, mohoi se i akuzuari Bela kishte kërkuar nga ai ndonjë privilegj në lidhje me dhëndrin e tij, i cili figuronte në listën e kërkuar nga Interpoli.

“Pasi më ka thirr për herën e dytë dhe më ka thënë se nuk arrita me bind Xhemajlin që të kthehet e të dorëzohet në polici, Shpëtimi vetëm më tha, me falni që ju pengova, vazhdon ju punën e juaj, asgjë tjetër”, deklaroi Krivanjeva.

Në seancën e së enjtes, dëshminë e tij e dha edhe rreshteri i Policisë së Kosovës, Shaban Berisha.

Ky i fundit tha se ditën kritike, një zyrtar i policisë, Bashkim Dauti e kishte njoftuar se ka ik një veturë “Fiat Punto” me targa te Shkupit, me dy persona. Menjëherë pastaj, vazhdoi Berisha, kemi ndërmarrë masat e parapara duke njoftuar policinë e Maqedonisë, kurse polici Dauti së bashku me dy zyrtarë të tjerë ishin nisur në drejtim të shtetit maqedon.

“Kolega në fjalë ka shku me dy zyrtarë të tjerë në drejtim të Maqedonisë, e ku u has në veturën në fjalë dhe aty ka qenë vetëm vozitësi Fuhadi, por pasagjeri i tij kishte ikur. I njëjti pastaj është sjellë në stacionin policor në pikën kufitare në Han të Elezit. Ne e kemi pasur krejt dokumentacionin e personit që është arratisur edhe të vozitësit. Pas shikimit të databazës SMK, ne e pamë se personi që kishte ikur, kishte qenë i kërkuar nga Interpoli me fletarrest ndërkombëtar”, tha në dëshminë e tij, Berisha.

Prokurori Qerkini e pyeti dëshmitarin Berisha, se nëse e kishte parë atë ditë, të akuzuarin Bela, mirëpo Berisha tha se nuk e ka parë fare atë ditë të akuzuarin.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bela, avokati Jakup Ramadani e pyeti dëshmitarin Berisha se nëse ka ndodhur në të kaluarën që ndonjë person të lejohet të kalojë kufirin pa prezantuar dokumentet, mirëpo Berisha tha se një gjë e tillë ndodh vetëm në raste protokollare, siç e përcakton ligji.

Seanca e radhës u vendos të mbahet më 4 maj, ora 9.30, ku do të jap dëshminë e tij, Skënder Bislimi, zyrtar policor në pikën kufitare të Hanit të Elezit.

Ndryshe, ky rast hyn në kuadër të rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Shpëtim Bela, po akuzohet se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk ka kryer detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, i njëjti pretendohet se si zyrtar policor, i caktuar sipas orarit ditor në hyrje të pikë kalimit kufitar për kontrollin e dokumenteve të personave dhe automjeteve, në Han të Elezit, i ka mundësuar personit Xhemal Gottermejer, i cili kishte flet arrest ndërkombëtar, që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës, pa u kontrolluar dhe regjistruar në sistemin “SMK”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, tani i pandehuri Bela, ka qenë në dijeni se personi Xhemal Gottermejer kishte flet arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet zvicerane, por megjithatë ka lejuar që ai të hyjë në territorin e Kosovës, pa u regjistruar fare./betimiperdrejtesi.com