Gjykimi Naser Kelmendit, mbrojtja kërkon lirimin, prokurori fajësinë në të gjitha pikat e akuzës

Naser Kelmendi, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë me gjashtë vite burgim për vepra penale që ndërlidhen me narkotik, sot është paraqitur në Gjykatën Apelit, ku u shqyrtuan ankesat e prokurorisë dhe mbrojtjes së tij.

Lajme

24/07/2018 16:48

Në ankesën e cila përbëhet prej 110 faqeve, prokurori special kërkon ndryshimin e aktgjykimit të gjykatës themelore në pikat për të cilat i akuzuari është liruar, duke kërkuar kështu dënimin e tij për të gjitha pikat në aktakuzë.

“Prokuroria ka kërkuar që të prishet aktgjykimi i gjykatës themelore, ashtu që i akuzuari të shpallet fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës. Kjo për shkak se sipas prokurorisë është bëre vërtetimi i gabuar i gjendjes faktike. Prokurori i referohet provave që ka propozuar të administrohen siç janë transkriptet e bisedave telefonike të cilat gjykata nuk i ka administruar si prova e me të cilat do të vërtetohej plotësisht fajësia e të akuzuarit Naser Kelmendit”, thuhet në ankesën e prokurorisë.

Ndërsa, në përgjigjen e ankesës së prokurorisë, mbrojtësi i të akuzuarit Naser Kelmendi, avokati Besnik Berisha ka mbështetur përfundimet e shkallës së parë duke venë në pah edhe kundërthëniet në pretendimet e prokurorit dhe deklaratave të dëshmitareve, të cilat prokurori i ka përdorur si bazë mbështetëse.

Mbrojtësi në ankesën e tij fillimisht i referohet paanshmërisë së ankesës, pastaj për secilën bazë veç e veç i jep arsyet se pse aktgjykimi në pjesën dënuese, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Ai tha se aktgjykimi i marrë është në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Ky aktgjykim është në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut për shkak se faktet vendimtare lidhur me fajësinë mbështeten vetëm në deklaratat e dëshmitarëve K1 dhe K2, si dëshmitarë bashkëpunues dhe dihet shumë mirë se dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues nuk mund të merret si provë e vetme dhe për ketë arsye konsiderojmë se aktgjykimi është në shkelje të Konventës”, tha avokati Besnik Berisha.

Avokati Berisha, po ashtu tha se nëse ka drejtësi në ketë vend ka vetëm një aktgjykim për Naser Kelmendin, ai është aktgjykimi lirues.

“Unë e kam quajt një rast historik, jo se si duhet të ekzistojë drejtësia, por se si mundet me të godit padrejtësia, si mundet me u kurdisë nga dy të pashpirtë, të dy dëshmitarë me të kaluar kriminale, me vrasje makabre, këta telashet e veta i kanë zgjidhë duke shkuar dhe duke u paraqit dëshmitar në prokurori gjoja për të dhënë dëshmi kundër Naser Kelmendit”, deklaroi Berisha.

Ai aktgjykimin e cilësoi si kompromis për të mbuluar një skandal të madh të prokurorisë së EULEX-it.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Naser Kelmendin me 6 vjet burg pasi e ka gjetur fajtorë për posedim me qëllim të shpërndarjes së narkotikëve” ndërsa është shpallur i pafajshëm në tetë pika të tjera, përfshirë edhe ato për krim të organizuar dhe vrasje.

Naser Kelmendi akuzohej për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike./Kallxo.com