Gjykatësit “s’kanë kohë” të merren me personat e kërkuar e të arrestuar!

Disa gjykatës po i lënë të lirë të pandehurit e shumëkërkuar, megjithëse policia ata po i gjen me shumë mund e angazhim. Kështu thotë një zyrtar policor, përderisa drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj premton se do t’i hetojë këto raste.

Lajme

27/07/2014 12:19

Për ta gjetur një person të kërkuar nga gjyqësia, policisë shpesh i duhen shumë tentativa, thotë për Radio Kosovën, zyrtari i Policisë së Kosovës, Besart Shaqiri. Por, ndodh që kur i shumëkërkuari kapet, gjyqtari shprehet se nuk ka kohë të merret me të pandehurin dhe policisë nuk i mbetet tjetër veçse ta lirojë.

“Ka pasur raste kur në tentativën e saj të disahershme për me e gjet personin, policia arrin ta gjejë, e dërgon në gjykatë, pastaj gjyqtarët duke gjetur arsye të ndryshme, bisedojnë me të dyshuarin, arrijnë një farë marrëveshje, thonë se për shkak të punëve ose mos-kohës në dispozicion, ose thirren në mungesë të daktilografes, edhe kërkojnë që ta shoqërojmë një ditë tjetër… personi lirohet, pastaj duhet prapë një kohë e mundimshme për ta gjetur apo nuk gjendet fare edhe lënda parashkruhet”, thotë ai.

Kapiten Shaqiri thotë se gjykatësit gjejnë arsye të ndryshme për t’i liruar të pandehurit.

“Kemi raste që gjyqtarët edhe pas orës 16 janë njoftuar nga ana e policisë se janë gjetur personat që kërkohen, por gjyqtarët përgjigjen se nuk janë afër vendit të punës ose vendbanimit, kështu që na thonë bisedoni ju me të, merrjani një dokument edhe silleni nesër nesër. Personi s’ka pas dokument fare, edhe në këtë mënyrë policia demotivohet dhe detyrohet me e lëshu personin që ka urdhëresë për ekzekutim”, tha ai.

Këto raste vlerësohen si të patolerueshme nga Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj, i cili thotë se edhe pas orarit të zakonshëm të punës ka gjyqtarë e prokurorë kujdestarë, të cilëve iu takon të merren me raste të tilla. Ai paralajmëroi hetim për këto raste dhe kërkon ndihmë nga policia.

“Ju inkurajoj dhe ju lus që këto raste të tilla, nëse ka pasur urdhëresë të shoqërohet dhe të dërgohet në gjykatë dhe në ato raste gjyqtari është tregu neglizhent edhe ju ka sugjerua që t’u dërgohet një ditë tjetër, ose ju ka sugjerua diçka tjetër, t’i përcjellin tek ne me shkrim në mënyrë që t’i marrim këto raste dhe të procedojmë më tutje”, tha ai.

Prendrecaj tha për Radio Kosovën se është e patolerueshme që gjykata të kërkojë fillimisht të angazhojë policinë dhe policia pasi ta kryejë punën e saj, gjykatësi të mos merret me të akuzuarin apo të dënuarin.