Gjykatësi thotë se rasti i Shukri Bujës do të kryhet brenda 3-4 seancave

As pesë seanca nuk do të mbahen në rastin ku ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajme

17/05/2018 21:19

Kështu ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku përveç Bujës, në këtë rast, akuzohen edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Magbule Sadiku, Fahri Retkoceri, Hasim Viseshella, Edmond Rexhepi, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Driton Avdiu.

Gjykatësi Kalludra, ka thënë se kjo lëndë do të tentohet të kryhet pas 3-4 seancave, përkatësisht deri rreth muajit qershor.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Shukri Buja, avokati Arianit Koci, ka deklaruar se lëndë të tilla sikurse kjo, më shumë po shërbejnë vetëm si statistikë dhe po tentohet të kryhen me nguti për shkak të proceseve të tilla si liberalizimi i vizave, e çka sipas Kocit, po shkon në dëm të të pandehurve.

Sidoqoftë, në seancën e së enjtes, palët në procedurë i kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori special Agron Bajrami, në fjalën e tij tha se nga provat që janë në shkresa të lëndës, dëshmitarët, masat e fshehta të policisë e të tjera, do të vërtetohet se të akuzuarit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejt dhe me qëllim që të përfitojnë jashtëligjshëm.

Të gjitha vendimet e nxjerra të cilat përmenden në aktakuzë, prokurori i propozoi gjykatës që në fund të procesit gjyqësor t’i shpall nule.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve në fjalët e tyre hyrëse thanë se aktakuza e prokurorisë është e paqëndrueshme dhe provat e propozuara nuk vërtetojnë fajësinë e klientëve të tyre.

Pas fjalëve hyrëse, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve, Imer Bikliqi dhe Ramush Asllani.

Dëshmitari Bikliqi, tha se dhjetë ditë pasi që kishte ndaluar punën në një objekt pa leje që po ndërtohej në Lipjan, me pronar Fahri Retkocerin, ishte suspenduar nga puna si inspektor i ndërtimit në Komunën e Lipjanit.

Në dëshminë e tij, Bikliqi tha se nga viti 2001 e deri në 2010, kishte punuar si inspektor i ndërtimit në Komunën e Lipjanit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Agron Bajrami, nëse kishte hasur gjatë kësaj periudhe në ndonjë objekt pa leje, përkatësisht te ish-objekti i fabrikës së letrës, dëshmitari u përgjigj se po.

“Po kemi hasur dhe këtë e kemi konstatuar në procesverbal dhe e kemi urdhëru që të ndalojë punën. Kur e kemi inspektu, objekti ka qenë fazën e themelit dhe bodrumit. Ndërtuesi nuk ka qene i pajisur me leje ndërtimi. Pronar i këtij objekti ka qenë Fahri Retkoceri. Sipas ligjit mbi ndërtim, nuk guxon të fillohet ndërtimi i objektit pa leje të ndërtimi”, tha në fjalën e tij dëshmitari Bikliqi.

Këtë objekt pa leje, dëshmitari tha se e kanë hasur gjatë inspektimit që kishin pas obligim të bëjnë.

Sipas dëshmitarit, objektit në fjalë i ishte ndaluar puna më 27 tetor 2010, kurse, 10 ditë më vonë ishin suspenduar nga puna me një vendim të drejtorit të Inspekcionit, Bajram Rizani e të nënshkruar nga ana kryetarit të atëhershëm të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, për arsye të cilat dëshmitari tha se nuk i din.

Pasi që u pyet nga e mbrojtësi i të akuzuarit Fahri Retkoceri, avokatit Ramë Gashi, se a kishte nxjerrë aktvendim për ndalje të punimeve për objektin në fjalë, dëshmitari tha se nuk ka pasur kohë pasi që ishte suspenduar.

Megjithatë, vazhdoi dëshmitari, pasi që kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit mbi suspendim, komisioni për ankesa e kishte kthyer atë në punë sërish, e ku kishte vazhduar të punojë deri më 1 mars 2011, para se të transferohej në një departament tjetër të Komunës së Lipjanit.

Sa i përket suspendimit të tij nga puna, 10 ditë pasi që i kishte ndaluar punimet në objektin e të akuzuarit Fahri Retkoceri, ish-drejtori i Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, tashmë i akuzuari Bajram Rizani, e ballafaqoi dëshmitarin me arsyet, të cilat sipas tij, kishin sjellë suspendimin e dëshmitarit nga pozita e tij si inspektorit.

“Suspendimi ka ndodh pas 10 dite. A ju kujtohet se suspendimi ka ardh pas një raporti të juaj që ka qenë kërkesë e imja për dy objekte në qytetin e Lipjanit, të cilat e kanë thyer vijën urbane, pra objekti i Hyzri Aliut dhe Furra Drini. Ju keni thënë se këto ndërtime janë në rregull. Me kërkesë të kryetarit të komunës, është formu komisioni dhe është vërtetu fakti se ndërtimet nuk janë zhvilluar sipas lejes se ndërtimit. A mos ka qenë kjo arsyeja e suspendimit?” – e ballafaqoi Rizani dëshmitarin në lidhje me arsyet e suspendimi të tij nga puna.

Dëshmitari Bikliqi u përgjigj duke thënë se nuk e din saktë, mirëpo siç tha ai, për vijat urbane përgjegjës ka qenë Drejtoria e Kadastrës dhe Gjeodezisë, e jo ai.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, tashmë i akuzuari për korrupsion, Shukri Buja.

Ky i fundit, i parashtroi dëshmitarit disa pyetje të tilla se sa ndërtime pa leje ishin ndërtuar në Lipjan deri në vitin 2011, a është në dijeni për objektin e quajtur “7 vëllezërit” dhe se a është në dijeni se ndërtimet në lagjen “Akllap”, ishin pa leje dhe të njëjtat ishin legalizuar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Lipjanit.

Në shumicën e këtyre pyetjeve, dëshmitari u përgjigj me “nuk e di”, çka solli edhe reagimin e Bujës i cili iu drejtua dëshmitarit me fjalët “Çka keni ditë ju inspektorët masi s’keni ditë për ndërtimet pa leje”.

Ndryshe, sa i përket objektit pa leje të të akuzuarit Retkoceri, i cili objekt përmendet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, dëshmitari Bikliqi tha se nuk i kishin shqiptuar gjobë të akuzuarit Retkoceri, pasi që i njëjti nuk i kishte vazhduar punimet pasi që ato i kishte ndërprerë inspektorati.

Dëshminë e tij në seancën e së enjtes e dha edhe Ramush Asllani, shef i sektorit të Kadastrës në Komunën e Lipjanit, i cili nga prokurori dhe mbrojtësit u pyet në lidhje me regjistrimet në kadastër të pronave të cilat ishin eksproprijuar nga Komuna e Lipjanit për kompaninë “New Co Ferronikel Complex L.LC”.

Kur u pyet nga ana e prokurorit Bajrami se për të regjistruar një pronë në kadastër a nevojitet edhe dëshmia e mënyrës së kompensimit të paluejtshmërisë, dëshmitari u përgjigj se mundësisht një vërtetim të tillë e kishte kërkuar nga aplikuesit.

“Ligji për shpëlarjen e parave parasheh dëshminë e kompensimit për vlera mbi 10 mije euro. Te paluejtshmeria eksproprijuar nuk është e specifikuar por vlen si rregull e përgjithshme.” – deklaroi dëshmitari Asllani.

Në mungesë të një dëshmie të tillë, Asllani tha se dokumentacioni i aplikimit do të ishte i pakompletuar dhe të për të njëjtin do të vendoste të refuzonte.

Sa i përket rastit të shpronësimeve që kishin ndodhur për kompaninë e Ferronikelit, dëshmitari tha se ky vërtetim kishte munguar dhe se ai kishte kërkuar që mundësisht ky vërtetim t’i bashkëngjitej më vonë dokumentacionit në mënyrë që të kompletohej, mirëpo sipas dëshmitarit, kjo nuk kishte ndodhur.

Pas kësaj përgjigje të dëshmitarit, ndërhyri kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, i cili tha se në deklaratën që e kishte dhënë në hetime, dëshmitari nuk e kishte përmendur fjalën “mundësisht” kur kërkohej dorëzimi i vërtetimit të pagesës për kompletim të dokumentacionit.

Megjithatë, pronat në fjalë sipas dëshmitarit ishin regjistruar më vonë në kadastër, mirëpo jo nga ai, por nga referenti Adem Haziri.

Aktvendimin për regjistrimin e këtyre pronave, dëshmitari tha se është përpiluar nga ana e zyrtares Magbule Sadiku dhe ishte nënshkruar edhe nga ana e drejtorit të Kadastrës, Halit Gashi, mirëpo vet dëshmitari tha se nuk e kishte nënshkruar pasi e kishte konsideruar si të pakompletuar dokumentacionin.

Lidhur me këtë deklaratë të dëshmitarit, reagoi ish-drejtori i Kadastrës në Komunën e Lipjanit, Halit Gashi, i cili tha se të gjitha këto vërejtje që dëshmitari Asllani po i thotë në seancë, ka pas mundësi që t’i thotë me rastin e ekzekutimit të vendimit, mirëpo i njëjti sipas Gashit, nuk kishte pas asnjë vërejtje.

Kur u pyet nga ana e mbrojtësit të Shukri Bujës, avokatit Arianit Koci se a ka ndodhur edhe në raste të tjera që pronat të regjistrohen në kadastër pa e pas vërtetimin për kompensim, dëshmitari tha se ka mund të ketë raste të tilla, mirëpo nuk i kujtohen.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 18 maj, nga ora 9.00 ku do të bëhet dëgjimi i pesë dëshmitarëve të tjerë.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) bashkë me Bujën akuzon edhe tetë zyrtarë të Komunës së Lipjanit dhe një biznesmen.

PSRK ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të  Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “New Co Ferronikel Complex L.LC”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës  iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “New Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “New Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “New Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”./betimiperdrejtesi.com