Gjykatat zvogëluan numrin e lëndëve në vitin 2016 për 10 për qind

Gjyqësori  i  Kosovës thotë se ka  arritur  progres  substancial   në  vitin 2016 duke përmirësuar efikasitetin  e punës  gjyqësore  me zvogëlimin  e numrit të lëndëve  të pazgjidhura  për më shumë  se 10%, përkundër një rritjeje  prej më shumë  se 37,000  të lëndëve  të reja, të pranuara  gjatë vitit  2015. 

Lajme

11/04/2017 10:08

Numri i tërësishëm  i lëndëve  është  zvogëluar nga 440.627, që ishte  në fillim të vitit 2016, në 399.031 në fund të vitit, e që është  numri  më i ulët  që nga riorganizimi   i gjykatave në fillim të vitit 2013.

Në fillim  të  vitit  2016  kanë  qenë  të  hapura  440.627  lëndë.  Gjatë vitit  gjykatat  kanë pranuar  438.412  lëndë, ndërsa, kanë zgjidhur  479.937  lëndë, që janë 41.535  më shumë se  sa  numri  i lëndëve  të  pranuara,  që do të  thotë  se gjykatat  kanë  zgjidhur  9.4%  më shumë sesa kanë pranuar lëndë të reja.

Shkalla e gjithmbarshme e pastrimit (proporcioni ndërmjet numrin të lëndëve të zgjidhura   ndaj atyre të pranuara) ishte 110.1 %. Shkalla  e pastrimit  për të gjitha  gjykatat themelore   ishte afër, ose më lartë se 100%.  Shkalla e pastrimit për  Gjykatën Themelore të Prishtinës,  që është  Gjykata  më e madhe  në vend, ishte  104.5%.

Përfitimet më të mëdha janë arritur përmes zvogëlimit të numrit  të  lëndëve  të kundërvajtjeve, nga 210.983  lëndë  në fillim të vitit, në 189.734  lëndë  në fund të vitit, që do të thotë, zvogëlon numrin prej 21.249 lëndësh. Ndërsa, përmbarime nga 95.479  lëndë  në fillim të vitit, në 74.505 lëndë në fund të vitit, një   zvogëlim  prej  20.974  lëndësh.

Përfitime  të rëndësishme janë realizuar edhe në krimet e rënda  ku numri i lëndëve   është zvogëluar nga 5.593 lëndë  në fillim të vitit,  në 4.840  në fund të vitit, që paraqet   shkallë pastrimit prej 132.5%.

Numri i lëndëve civile është ulur,  nga  42.560,  me  shkallë pastrimit  prej  113%.  Megjithatë, numri i veprave penale të lehta është rritur me 4.6% nga 38.549,  në 40.329.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqesor të Kosovës, Nehat Idrizi, është shprehur se, Këshilli Gjyqësor i Kosovës është i kënaqur me  këtë  progres  në  drejtim  të  efikasitetit   të  përmirësuar  në përpunimin  e lëndëve.  Krahas  përmirësimit  të  llogaridhënies  dhe  transparencës, kjo është  njëra  nga  prioritetet më të  rëndësishme të gjyqësorit. KGJK-ja, ka përgjegjësinë e përcaktimit të prioriteteve dhe mbikëqyrjes gjyqësore, kryetaret e gjykatave,  në bashkëpunim me  gjyqtaret janë ata që menaxhojnë veprimet  në  gjykata dhe  përballen me sfidat e përditshme  për  t’u siguruar  se lëndët  trajtohen  drejtë  dhe  në mënyrë  efikase.  Gjithashtu, Idrizi ka çmuar përkrahjen e partnereve ndërkombëtarë, përfshirë  USAID, EULEX,  Këshillin e Evropës etj.

“Por, edhe pse ne jemi të kënaqur  me  përmirësimet  në vitin  2016,   mbetet   akoma punë   për  t’u  bërë,  sistemi gjyqësor ka  nevojë  të vazhdojë  përmirësimin  e efikasitetit, ashtu   që lëndët të procedohen më shpejtë dhe njëkohësisht të ruhet edhe cilësia. Gjykatat Themelore  po  zhvillojnë  planet për përmirësimin  e menaxhimit  të  lëndëve   në  gjykatat përkatëse,  ashtu  që  të  vijojë  progresi. Në vitin  2016,  ngarkesa  me  lëndë në Gjykatën  e Apelit  ka vijuar   të  rritet   dhe  ne po punojmë  me  kryetarin e Gjykatës dhe koleget e tij që në vitin  2017, të ketë përmirësim të efikasitetit”- ka theksuar në mes të tjerash, kryesuesi Idrizi.

Gjatë vitit  të  kaluar,  kryesuesi  i KGJK-së dhe koleget e tij kanë  shtuar  përpjekjet   për të punuar së bashku me kryetaret  e gjykatave themelore  dhe  administratorët e gjykatave për sfidat me të cilat përballen gjykatat  si dhe për përmirësimin e  performancës.

Kryetaret e gjykatave e vlerësojnë se, mbështetja teknike e ofruar nga USAID ka ndikuar dukshëm në përmirësimin  e efikasitetit të punës në gjykata me qëllim të arritjes së një sistemi të drejtë, funksional dhe transparent. /Lajmi.net/