Gjykata Speciale publikoi listën e dytë të avokatëve të regjistruar

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shtuar në Lista emrat e mbrojtësve, krahas mbrojtësve që ishin pranuar më parë.

Lajme

11/05/2018 11:48

Regjistrimi në këto lista bën që këta avokatë të kenë mundësinë të zgjidhen për t’u paraqitur para DHSK-së për të përfaqësuar të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash, apo çdo person tjetër që ka të drejtën e përfaqësimit ligjor në bazë të Ligjit për krijimin e DHSK-së dhe të Direktivës për Mbrojtësit. Listat e publikuara përmbajnë emrat e 87 profesionistëve të fushës së drejtësisë nga Kosova, Serbia, dhe një numër vendesh të tjera. Mbrojtësit mund të zgjedhin nëse duan që emrat e tyre të përmenden në faqen e internetit të DHSK-së, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale.

Ky është raundi i dytë i njoftimeve, pas Listave të shpallura më 14 mars 2017. Listat publike të mbrojtësve mund të shihen në tabelën që gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.

Me këtë rast, Kryetarja e DHSK-së, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, përgëzoi të gjithë kandidatët dhe kandidatet dhe theksoi mesazhin e saj se kriteret e rrepta për pranim në këto lista janë garanci që të pandehurit dhe viktimat do të kenë mundësinë të përfaqësohen në mënyrë profesionale dhe efektive para DHSK-së, çka do të kontribuojë më tej për forcimin e integritetit të administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara.

Që nga nëntori 2017 kur filloi ky proces, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë marrë kërkesa të shumta për pranime në lista. Shqyrtimi i kërkesave dhe procesi i pranimit të mbrojtësve vazhdon. Si rrjedhojë, këto Lista të Mbrojtësve do të përditësohen vazhdimisht  dhe në to do të pranohen edhe kandidatë të tjerë ndërkohë që vazhdon procesi i shqyrtimit të kandidaturave të tyre. Pra, procesi do të mbetet i hapur./Kallxo.com