Gjykata Speciale kompleton stafin gjatë verës (Video)

Bashkimi Evropian pretendon ta funksionalizojë Dhomën e Specializuar pranë Gjykatës Speciale gjatë vitit 2016, ndonëse ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodh kjo.

Lajme

25/05/2016 21:34

E gjitha varet nga kompletimi i një varg kërkesash të ndryshme ligjore, nga përgatitjet logjistike si dhe nga përzgjedhja, emërimi i gjyqtarëve dhe rekrutimi e stafit tjetër përcjellës.

BE tashmë ka shpallur konkurs për 37 pozita për staf të Speciales.

Deri në fund të këtij muaji, duhet të plotësohen katër pozita: shefi i zyrës për viktimat, shefi për buxhet dhe financa, zyrtari i buxhetit dhe shefi i njësisë së prokurimit.

YouTube player

Konkursi mbetet i hapur deri më 27 maj, por 15 qershori duhet të jetë data kur duhet që të përfundojnë procedurat për 33 pozitat e tjera.

Por ky nuk do të jetë konkursi i vetëm. Në një përgjigje përmes postës elektronike, Bashkimi Evropian i ka thënë Tribuna Channel se konkursi i shpallur më 15 maj është vetëm thirrja e parë për aplikim, ngase në fillim të verës do të ketë një konkurs tjetër, pa saktësuar se kur dhe për cilat pozita do të hapet.