Gjykata Speciale duhet të themelohet

Më 29 maj Kuvendi i Kosovës e shtyu diskutimin dhe votimin për Gjykatën Speciale. Zyrtarisht u tha se mungonte draft-projektligji që kishte për objekt diskutimin dhe miratimin e amendamenteve për ndryshime të Kushtetutës, që do t’i hapte rrugë projektligjit për Gjykatën Speciale.

Opinion

08/06/2015 10:25

Por, ky version zyrtar, u kundërshtua menjëherë pas mbylljes së seancës nga liderë partishë, opozitarë dhe deputetë.

Përmendën një mori arsyesh për t’iu kundërvënë mazhorancës qeverisëse, por njëkohësisht dhe kërkesës “ultimative” të mbështetësve tanë ndërkombëtarë për krijimin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale në Kosovë. E quajta ultimative këtë kërkesë, sepse na tingëllon si kusht për ecurinë tonë si shtet dhe anëtarësimin në OKB, në NATO dhe BE. Këtë e dimë të gjithë; e dinë partitë, deputetët dhe mbarë opinioni që ndjek dhe interesohet për zhvillimet politike në vend. Edhe nëse e neglizhojnë apo përpiqen ta harrojnë, ua kujtoi përfaqesuesja e BE-së, Lajçak, e cila kërkoi hapur përcaktim e afatit për hapjen e debatit dhe miratimin e krijimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi dhe fillimin e veprimit të saj. Vetëm një apo dy ditë më pas këtij apeli ia vuri pikën mbi paralajmërimi i ambasadores së SHBA-së në Kosovë: “Nëse Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk e miratojnë Gjykatën Speciale, atëhere SHBA-ja dhe partnerët e tjerë strategjikë të Kosovës nuk do ta bllokojnë më këtë në një proces në Kombet e Bashkuara. Prandaj thërras udhëheqësit politikë në Qeveri dhe Kuvend, që të mos rrezikojnë legjimitetin e vazhdueshëm dhe reputacionin e Kosovës, për hir të një numri të caktuar të njerëzve që mund të akuzohen”.

Kam qenë qysh në fillimet e propozimit nga ndërkombëtarët në mbështetje të krijimit të këtij institucioni. Mendimin dhe qendrimin tim për këtë çështje e kam bërë publik sa herë që më është dhënë mundësia. E kam bërë këtë, jo se jam më parimor apo më i moralshëm se shumë të tjerë, por sepse kam patur mbi vete akuza e dyshime jo të pakta. Jam ndeshur i pari me akuzën në Raportin e Dick Martyt dhe pa u njohur me hollësitë e raportit, kam kërkuar hetim ndërkombëtar për t’u provuar. Jam përballur me jo pak hamendje negative për veten dhe veprimtarinë time gjatë luftës. Jam përpjekur t’i zgjidh jo me mbrojtje, kundërsulme apo përgënjeshtrime, por me shpërfaqjen e mendësisë dhe karakterit tim në mënyrë më të përgjegjshme dhe në rrugët më të mira të mundshme për t’u ditur nga opinioni.

Duket sikur po flas për veten, por në fakt unë jam pjesë e së tërës, e luftës së UÇK-së dhe në dimesionin personal, përfaqësoj dhe mbaj përgjegjësi edhe për të. I shfaqur dhe i pozicionuar në këtë qendrim kam bindjen se rëndimi në vazhdimësi i një dyshimi të paprovuar rëndon mbi këdo më tepër se sa përballja me një të vërtetë të hidhur. Gjykata Speciale për “krimet” e anëtarëve të UÇK-së, mendoj dhe besoj se synon të ndajë shpifjet, hamendjet, dyshimet nga e vërteta; do të çlirojë shumë njerëz nga ankthi, që shkakton natyrshëm opinion dyshues dhe shpresoj të provojë të vërtetën e ta bëjë vepruese mbi bazën e saj drejtësinë.

E mirëkuptoj motivimin e një pjese të opinionit kundërshtues për krijimin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale. Ndjeshmëritë janë të pranishme dhe të pranueshme. S’mund të gjykohen për krime të dhunuarit, Kosova dhe shqiptarët e Kosovës. Mundësitë e të dhunuarit për të bërë krime ndaj dhunuesit janë tejet të kufizuara, por nuk mund të thuhet që janë të pamundura. Edhe ne në luftën tonë çlirimtare mund të kemi kapërcyer individualisht cakun mes luftës dhe krimit, mes të drejtës për liri dhe nëpërkëmbjes të së drejtës për jetë të tjetrit.

I qëndroj besnik bindjes sime që SHBA dhe aleatët tanë strategjikë, të cilët këmbëngulin për miratimin e Gjykatës Speciale duan dhe synojnë më të mirën për të sotmen dhe ardhmërinë e popullit të Kosovës, që lidhet me statusin, konsolidimin dhe dinjitetin e Kosovës shtet.

 (Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)