Gjykata Speciale do të sjellë ndryshime rrënjësore në politikën e Kosovës

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Ismet Salihu, dhe avokati Tomë Gashi, kanë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevoshme që ta nisë punën Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Lajme

14/12/2015 08:18

Salihu ka thënë se nuk mund të prolongohet më tepër cështja e Speciales, meqë dëshmitarët e mbrojtur janë dërguar në Holandë dhe, sipas tij, më së largu në mes të vitit të ardhshëm do të fillojë puna konkrete e saj.

Kurse, Gashi ka thënë se arrestimet dhe aktakuzat e para të Gjykatës Speciale do të sjellin ndryshime rrënjësore në skenën politike të Kosovës.

Sipas profesorit Salihu në vitin e ardhshëm do të fillojnë veprimet konkrete të kësaj gjykate ndaj personave të dyshuar për kryerje të veprave penale.

Ai ka thënë se tani duhet të emërohen prokurorët dhe gjyqtarët, meqë çështjet e tjera janë kryer.

“Deri më tani janë ndërmarrë të gjitha masat paraprake për fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Tash është caktuar selia e saj, është nxjerr ligji dhe tani duhet të emërohen edhe gjyqtarët dhe prokurorët. Në Ligjin për dhomat e specializuara dhe për prokurorinë speciale është paraparë që me pëlqimin e Qeverisë së Kosovës të caktohet vendi se ku do të jetë selia e Gjykatës. Kjo gjykatë gjithashtu ka të drejtë që disa pjesë të procedurës penale t’i zhvillojë edhe në një shtet tjetër nëse e sheh të arsyeshme dhe në interes të hetimit dhe të gjykimit të kryerësve të veprave penale. Dhe, sipas të gjitha gjasave, në fillim ose në mes të vitit 2016 do të fillojnë veprimet konkrete të marrjes në pyetje të atyre personave të cilët dyshohen se kanë kyer vepra penale”, ka thënë Salihu në një prononcim për “Epoka e re”.

Ndërsa, avokati Gashi ka thënë se për shkak të proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, posacërisht ngërçit politik që ka qenë vitin e kaluar, puna e Gjykatës Speciale është shtyrë pë rnjë kohë të pacaktuar.

“Mirëpo në fillim ose kah mesi i vitit të ardhshëm do të jenë akuzat e para që do të bëhen publike sepse, sipas prokurorit, një pjesë e tyre janë të përgatitura më herët. Fillimin e vitit të ardhshëm do ta kemi me plot ‘befasi’, meqenës një pjesë e atyre që kanë votuar për themelimin e Gjykatës Speciale e kanë ditur se mund të jenë të akuzuar nga kjo gjykatë. Ajo që po nddh vetvetiu nga pushteti është çështje e qëllimshme, që të shtyhet sa më shumë që është e mundshme puna efektive e Gjykatës Speciale”, ka thënë Gashi, duke shtuar se sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përveç kërkesave të tjera, ka kërkuar nga Kosova që sa më shpejt të përgatitet për Gjykatën Speciale. /Epoka e re